Në ditën e sotme janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të xhiros së 14-të Superligës së Kosovës në basketboll. Raporti për ndeshjet vazhdon më poshtë.
Sigal Prishtina ka shënuar fitore ndaj Ponte Prizrenit në udhëtim me rezultat 71:77 (22:19, 17:21, 18:15, 14:22), në xhiron e 14-të të Prince Caffe Superligës.
Pas një fillimi të barabartë mysafirët u shkëputën në tetë pikë, 20:12, por më pas rikthehen prishtinasit, ku çereku i parë përfundon 22:19. Periudha e dytë ishte tërësisht e barabartë, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 39:40.
Në periodën e tretë prizrenasit kishin epërsi 6-7 pikë, por më pas riktheheshin kryeqytetasit që nuk lejuan shkëputjen e madhe dhe rezultati pas 30 minutash ishte 57:55. Bardhekaltrit në dhjetë minutat e fundit ishin më të mirë, duke pasur epërsi deri në 11 pikë, 62:73, ndërsa Ponte u afrua në 71:73, por pa arritur të bëjë më shumë dhe Sigal Prishtina triumfoi 71:77.
Te Ponte Prizreni u dallua Dachon Burke me 32 pikë e nëntë kërcime, kurse te Sigal Prishtina më të mirët ishin Dustin Thomas me 21 pikë e 11 kërcime dhe Derrick Wilson me 20 pikë e nëntë kërcime.
Prizrenasit kanë gjashtë fitore e shtatë humbje, kurse prishtinasit dhjetë fitore e katër humbje.
Ndërsa Peja u tregua më e vëmendshme në momentet vendimtare dhe fitoi përballjen ndaj Rahovecit në udhëtim me shifrat 78:94 (29:25, 22:18, 11:21, 16:30), në xhiron e 14-të të Prince Caffe Superligës.
Shtatë minutat e para të ndeshjes ishin të barabarta, por më pas Vreshtarët kishin epërsi deri në shtatë pikë, 29:22, ndërsa çereku i parë përfundon 29:25. Në periudhën e dytë, vendasit kishin një epërsi të lehtë, ndërsa në fund të kësaj pjese u shkëputën për dhjetë pikë epërsi, 51:41, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 51:43.
Rikthimi i pejanëve filloi nga periudha e tretë ku shkrinë tërësisht epërsinë e vendasve dhe rezultati pas 30 minutash ishte 62:64. Në dhjetë minutat e fundit, verdhezinjtë ishin bindshëm më të mirë, duke pasur epërsi deri në 15 pikë, ndërsa rahovecasit përkundër tentimeve për të përmbysur rezultatin nuk ia arritën qëllimit dhe Peja triumfoi 78:94.
Te Rahoveci më i miri ishte Jahi Carson me 18 pikë e gjashtë asistime, kurse te Peja u dalluan Arian Qallaku me 18 pikë e gjashtë kërcime dhe Isiah Umipig me 18 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.
Vreshtarët kanë dy fitore e 12 humbje, kurse pejanët kanë 11 fitore e tri humbje.