Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka propozuar sot një Rezolutë të rëndësisë së veçantë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së Kosovës dhe dinjitetit të viktimave.
PDK ka kërkuar që kjo rezolutë të përfshihet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe urgjencën që lidhet me zhvillimet e fundit dhe reagimin e drejtë institucional ndaj tyre.
Mirëpo, grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e ka mbështetur këtë kërkesë, duke refuzuar që Rezoluta të trajtohet me prioritetin që meriton.
Në këto rrethana, PDK ka tërheqë përkohësisht këtë Rezolutë nga procedura parlamentare dhe ka lëshuar sallën e Kuvendit.
“PDK vlerëson se refuzimi për ta trajtuar këtë çështje si prioritet nuk është një vendim procedural, por një shmangie nga përgjegjësia institucionale për ta mbrojtur të vërtetën historike dhe për të respektuar dinjitetin e viktimave të luftës. Rezoluta e propozuar nga PDK synon të dënojë çdo shtrembërim të fakteve historike, të kërkojë përgjegjësi për keqinformimin dhe të garantojë standarde të qarta institucionale në trajtimin e historisë së luftës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.







