Asambleistët e PDK-së kanë lëshuar seancën e 13-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, në shenjë proteste ndaj, siç thanë, gjuhës fyese të kryetarit të komunës, Faton Peci.
Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, tha se vendimi erdhi pas deklarimeve publike të Pecit, duke e akuzuar atë për linçim dhe etiketime ndaj opozitës.
Ibrahimi theksoi se në mandatin e kaluar, pavarësisht arrestimit të dy asamblistëve të opozitës, PDK-ja nuk kishte përdorur gjuhë fyese ndaj tyre.
“Ekzekutivit dhe kryetarit kurrë nuk ua kemi dhënë të drejtën të dalin publikisht për ta linçuar dikë, për ta etiketuar, për të përdorur gjuhë fyese apo për ta shfrytëzuar politikisht situatën e tyre”, tha Ibrahimi.
Në anën tjetër, Peci i mohoi akuzat, duke thënë se nuk është në dijeni për etiketimet e përmendura nga Ibrahimi.
“Krejt çka diskutoi janë të pavërteta. Unë nuk po e di as për çka po flet”, deklaroi Peci, duke shtuar se edhe vetë është përballur me linçime, shpifje dhe fyerje.
Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Enis Osmani, tha se largimi i asamblistëve të PDK-së lidhet me përpjekjet për rrëzimin e kryesuesit të Kuvendit dhe përfshirjen e aksionarëve./teve1.info/




