Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur sërish sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri është shprehur me tone kritikuese ndaj kryetarit të VV-së Albin Kurti duke thënë se ka tendencë do të cenojë rendin ligjor të vendit.
“Po tendenca e tij është me e nënshtruar qytetarin e Kosovës, me e cenu rendin organizativ, pushtetues, ligjor të këtij vendi. Që 24-5 ditë thotë për marrëveshje politike, takohet një herë në javë me Lumir Abdixhikun. Pse nuk po e mbërrin marrëveshjen politike? Pse nuk po e gjejnë kandidatin e përbashkët? Pse nuk po vjen kuvend me funksionalizuar kuvendin, se presidenti që ka me u zgjedh ka me u zgjedh prej këtij kuvendi. Jo prej skenarëve politikë qysh e ve e skutave e duke i u shmangur edhe gazetarëve, duke i nënçmuar edhe qytetarët e Kosovës, më se me i informuar saktë se çka është duke ndodhur”, tha Tahiri.
Tahiri tha se gjenerata e re e politikanëve nuk e lejon këtë qasje të Kurtit.
“Po një gjë nuk e kam prit asnjëherë se jam rritë tu e parë Albin Kurtin tu i gjuajtur institucionet e Kosovës me gurë, me zjarr, me molotov e në forma të ndryshme, ndërsa tash si përfaqësues i popullit këtë kuvend po e përjetoj Albin Kurtin duke e cenu rendin kushtetues. Pra generata jonë, gjeneratat e reja nuk e pranojnë këtë qasje edhe këtë manipulim që është duke ia bërë qytetarëve të Kosovës. Në vazhdimësi rrugën e ka bërë duke bërë bllokada, përçarje dhe duke bërë manipulime, ndërsa tash po abuzon, po e keqpërdor votën e qytetarëve të Kosovës për me e bllokuar shtetin dhe për me tentuar me e ndryshuar sistemin organizativ në këtë vend”, tha ai.
Ndërsa, Burim Ramadani deputet nga Aleanca tha se po bllokada e shtetit të Kosovë vjen nga partia në pushtet e që të njwjtit sipas tij, nuk po tentojnë as ta arsyetojnë këtë që po bëjnë.
“Edhe sot sikurse po theksohet në secilën ditë, ne po e konstatojmë bllokadën e re të Kuvendit të Kosovës apo të shtetit të Kosovës. Dhe ata tashmë as nuk po fshihen që janë bllokuesit. Ata as nuk po tentojnë as me u arsyetu që po e bëjnë bllokadën e kuvendit edhe të shtetit të Kosovës. Ne jemi këtu në sallën e kuvendit edhe sot, ata nuk janë. Një pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes sot janë nëpër dreka. Një pjesë e tyre janë duke u marrë me biznes. Një pjesë e tyre janë në bufetë qeveritare, dhe kaq, një pjesë e tyre nuk guxojnë të dalin nga shtëpia për të arritur në shpi për shkak të kërkesave dhe pyetjeve të qytetarëve që i bëjnë”, tha ai.
Nga opozita përsëri u bë thirrje të thirret senaca dhe të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të, zgjedhjet për të cilën u mbajtën më 7 qershor.
Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike duke kërkuar mbajtjen e seancës konstituive.









