Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës. Krahas kërkesës kryesore, PDK-ja ka kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se kërkesa është dorëzuar për të marrë një përgjigje përfundimtare lidhur me, siç pretendon kjo parti, shkeljet që kanë përcjellë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Sot po e dorëzojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë lëndë, sepse pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kuvend, është e domosdoshme që institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës ta thotë fjalën e vet. Kushtetuta dhe rendi kushtetues nuk mund të varen nga kalkulimet politike të askujt”, tha Tahiri.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, deklaroi se qëllimi i kërkesës është rikthimi i rendit kushtetues.
“Ne po kërkojmë rikthimin e rendit kushtetues, jo vendosjen e rendit të Vetëvendosjes. Në Republikën e Kosovës rregullat i përcakton Kushtetuta, jo vullneti politik i një partie dhe as interpretimet që ndryshojnë varësisht prej interesit të momentit”, deklaroi Gruda.
Avokati Faton Fetahu bëri të ditur se, krahas kërkesës kryesore, PDK-ja ka kërkuar edhe vendosjen e një mase të menjëhershme të përkohshme.
“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë menjëherë masë të përkohshme, në mënyrë që të parandalohet prodhimi i pasojave të mëtejshme juridike dhe institucionale nga një proces, kushtetutshmëria e të cilit tashmë është kontestuar para Gjykatës. Deri në vendimin e saj, nuk duhet të krijohen fakte të reja që mund ta thellojnë edhe më tej krizën kushtetuese”, tha Fetahu.
Kërkesën e dorëzuan shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, dhe avokati Faton Fetahu.
“Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese kontestohet vendimi i 9 shtatorit 2026 për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimi procedural i 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimi i 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së
PDK-ja ka bërë të ditur se nesër do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese edhe lëndën që lidhet me formimin e Qeverisë.







