Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë komentuar kërkesat për dorëheqjen e tyre pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke deklaruar se largimi nga detyra nuk do të ndihmonte në adresimin e përgjegjësive institucionale.
E pyetur në konferencën për media lidhur me mundësinë e dorëheqjes, Gërvalla tha se nuk e konsideron këtë hap si zgjidhje që do të kontribuonte në identifikimin më të shpejtë dhe më të plotë të përgjegjësive për veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e Zekajt.
Ajo deklaroi se do të kishte dhënë dorëheqje nëse do të besonte se një veprim i tillë do të ndihmonte në zbardhjen e përgjegjësive, por sipas saj, në këtë fazë është më e rëndësishme vazhdimi i punës për adresimin e mangësive.
“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Qytetari i Republikës së Kosovës e di që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike. Unë ju siguroj që viktimat e dhunës në familje aleatin më të fuqishëm sot e kanë te koordinatorja kombëtare. Na lejoni të bëjmë punën tonë, na lejoni që të kujdesemi që të vihen në pah, të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve”, deklaroi Gërvalla.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u pyet për mundësinë e dorëheqjes së tij pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj.
Sveçla tha se nuk beson se largimi i tij dhe i zyrtarëve të tjerë nga pozitat që mbajnë do të ndikonte në fuqizimin e grave.
“Nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas”, deklaroi Sveçla.







