Në janar të këtij viti, presidentja Osmani njoftoi për nisjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky hap u cilësua si forcim i marrëdhënieve mes dy shteteve në fusha të ndryshme.
Megjithatë, tetë muaj pas ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi për pezullimin e një dialogu të tillë.
Në këtë njoftim u tha se veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë duke kufizuar aftësinë e SHBA-së për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Profesori universitar, Avdi Smajlaj thotë se ky është lajm jo i mirë për Kosovën sepse nuk e godit vetëm Qeverinë e vendit.
“Këtu janë humbës të gjithë, është humbës shteti i Kosovës, është Kosova, janë qytetarët tanë, të gjitha institucionet dhe mendoj se normalisht përgjegjësinë kryesore për këtë e ka kryeministri Kurti, por normalisht edhe presidentja e cila si duket nuk ka qenë në kryerje të detyrës ose sikur e ka gjetur të papërgatitur për një gjë të tillë. Është një dështim për të gjithë do të thoja në relacionin e shtetit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nuk nënkupton se janë shkëput marrëdhëniet mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Smajlaj.
Sipas tij, pas këtij veprimi duhet të ketë reflektim nga ana e liderëve shtetërorë.
“Klasa politike pas këtij vendimi duhet të dalë me një qëndrim të qartë, qoftë Qeveria, opozita, presidentja që të rikonfirmojnë domosdoshmërinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mos të lejojnë që kjo çështje të elektoralizohet, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita sepse kjo mund të përdoret ndoshta për vota qoftë nga njëra pjesë, qoftë nga tjetra ku edhe relacionet me SHBA-në mund të futen si pjesë e fushatës”, tregoi profesori universitar.
Pasojat e këtij vendimi do të vërehen edhe në ekonominë e vendit, e thotë profesori i kësaj fushe.
“Në aspektin ekonomik është e pamundur të pritet investime apo projekte me rëndësi strategjike për Kosovën, partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me masa të tilla Kosova e humb atraktivitetin për të qenë atraktive për investitorë dhe investime të huaja dhe në këtë drejtim besoj që imazhi i Kosovës është në pikën më kritike dhe e tëra kjo po ndodhë në kohën kur kemi paralajmëruar se diplomacia serbe është shumë aktive, kemi paralajmëruar se në Amerikë janë mjaft aktivë duke paguar fuqishëm”, deklaroi profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
Dialogu strategjik është një proces, të cilin Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) e zhvillon në shumicën e rasteve me vende të ndryshme të botës, në synimin për t’i avancuar marrëdhëniet bilaterale.