Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën ka ndërprerë në Mitrovicën e Veriut një aktivitet të parafushatës për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi.
Lidhur me këtë rast, zëvendësministri i Brendshëm, Enver Dugolli, ka deklaruar se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë organizimin e tubimeve elektorale të Serbisë në territorin e Kosovës pa lejen e institucioneve kosovare.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Dugolli ka shtuar se ka kaluar koha kur Serbia, sipas tij, organizonte zgjedhje dhe referendume në Kosovë.
“Ka qenë një tentim për të mbajtur një tubim parafushate për zgjedhjet e Serbisë. Por duhet të kuptohet njëherë e mirë se gjërat kanë ndryshuar dhe nuk do të lejojmë që të rikthehen ato situata kur Serbia mbante zgjedhje e referendume, sa herë donte, në Republikën e Kosovës, në një pjesë apo në të gjitha pjesët e saj. Pra, nuk mund të ketë zgjedhje të Serbisë të organizohen në Kosovë, asnjë tubim i palajmëruar. Qëllimin dhe lejen duhet ta marrë”, ka deklaruar Dugolli.
Ai ka theksuar se nuk mund të zhvillohen tubime elektorale të një shteti tjetër në Kosovë pa pëlqimin e institucioneve të vendit.
“Nuk mund të ketë tubime elektorale të një shteti tjetër në shtetin tonë pa pëlqimin tonë. Dhe ai pëlqim nuk jepet derisa Serbia nuk kërkon leje, me arsyetim, në Republikën e Kosovës. Ajo këtë gjë nuk e bën sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës. Dhe derisa nuk e njeh Republikën e Kosovës, nuk do të ketë tubime elektorale e as zgjedhje të Serbisë në Kosovë. Qytetarët mund të votojnë ata që kanë dyshtetësinë, por jo të zhvillojnë fushata elektorale në Kosovë”, ka thënë ai.
Dugolli ka thënë se kjo praktikë është vendosur në vitin 2022, gjatë Qeverisë Kurti II, dhe se do të vazhdojë të zbatohet.
“Kjo praktikë është vendosur në vitin 2022, në Qeverinë Kurti II, dhe vazhdon dhe do të vazhdojë. Ky standard, besoj, është një standard i rendit dhe ligjit, i sovranitetit dhe integritetit të Kosovës. Nuk mund të lejojmë që Serbia të mbajë zgjedhje dhe të mos pyesë e as të mos e çajë kokën fare, sikur këtu të ishte një pjesë e Serbisë. Pra, ato kohë kanë kaluar dhe nuk kthehen më”, ka përfunduar Dugolli./teve1.info/








