Shefja në detyrë e Bashkimit Evropian, Eva Palatova, ka vlerësuar qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe përafrimin e saj me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, veçanërisht sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Palatova i bëri këto deklarata në një aktivitet të organizuar në Europe House në Prishtinë, me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës.
Në ngjarje morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, trupit diplomatik, mediave dhe shoqërisë civile.
“Solidariteti është më i fuqishëm kur mbështetet në parime”, ka deklaruar Palatova, duke theksuar rëndësinë e qëndrimit të vazhdueshëm në mbrojtje të këtyre parimeve, edhe në rrethana të vështira politike.
Ajo e ka inkurajuar Kosovën që ta vazhdojë dhe ta rrisë përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe të shqyrtojë mënyra të tjera për të mbështetur Ukrainën, përfshirë sektorin e energjisë.
Sipas Palatovës, Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, ndërsa që nga viti 1999 ka ofruar rreth 3.7 miliardë euro ndihmë financiare.
Ajo ka thënë se partneriteti mes BE-së dhe Kosovës shkon përtej mbështetjes financiare dhe lidhet me një të ardhme të përbashkët evropiane.
“Ne duam ta shohim Kosovën dhe Ukrainën duke zënë vendin e tyre në Bashkimin Evropian”, ka thënë Palatova.
Duke folur për luftën në Ukrainë, ajo ka theksuar se BE-ja do të vazhdojë t’i ofrojë Kievit dhe popullit ukrainas mbështetje politike, financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike, duke e mbështetur njëkohësisht procesin e integrimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Palatova ka shtuar se qëndrueshmëria e Ukrainës nuk ka rëndësi vetëm për mbrojtjen e territorit të saj, por edhe për sigurinë dhe të ardhmen e Evropës.
“Të mos kemi asnjë dyshim: me këtë guxim dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, ukrainasit nuk po mbrojnë vetëm vendin e tyre: ata po mbrojnë Evropën”, është shprehur ajo./teve1.info/







