Islamabadi tha se kreu sulme përgjatë kufirit me Afganistanin të dielën në mëngjes, duke synuar ato që i quajti strehime të militantëve pakistanezë, të cilët i fajësoi për sulmet e fundit brenda Pakistanit. Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Afgane tha se më shumë se një duzinë personash u vranë.
Pakistani nuk specifikoi vendet e synuara, por ministria afgane e mbrojtjes tha në një deklaratë se u goditën “zona të ndryshme civile” në provincat Nangarhar dhe Paktika në Afganistanin lindor, duke përfshirë një medrese fetare dhe disa shtëpi civile.
Deklarata i quajti sulmet një shkelje të hapësirës ajrore dhe sovranitetit të Afganistanit.
Zëdhënësi i qeverisë afgane, Zabihullah Mujahid, më herët në X tha se sulmet “vranë dhe plagosën dhjetëra, përfshirë gra dhe fëmijë”.
Mawlawi Fazl Rahman Fayyaz, drejtori provincial i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Afgane në provincën lindore Nangarhar, tha se 18 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën.
Disa orë para sulmeve pakistaneze, një sulmues vetëvrasës shënjestroi një konvoj sigurie në distriktin kufitar të Bannu në veriperëndim të Pakistanit, duke vrarë dy ushtarë, përfshirë një nënkolonel.
Ushtria e Pakistanit paralajmëroi pas sulmit se nuk do të “ushtronte asnjë përmbajtje” dhe se operacionet kundër atyre që janë përgjegjës do të vazhdonin.
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Katari midis dy vendeve erdhi pas përleshjeve vdekjeprurëse kufitare në tetor, ku u vranë dhjetëra ushtarë, civilë dhe militantë të dyshuar.









