Pas dy javësh nga takimi i presidentes Vjosa Osmani me partitë opozitare për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dha propozimin e saj.
Datën 2 shkurt, si datë për zgjedhje të reja, e dërgoi te shefja e shtetit vetë kryeministri Albin Kurti.
Presidentja Osmani kishte bërë të ditur se sipas ligjit janë 4 data për zgjedhje – 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti.
Nga partia në pushtet thonë se janë të gatshëm për zgjedhje në çfarëdo date.
“Ne e kemi dërguar një propozim, mirëpo ne mendojmë se cila do datë që vendoset nga presidentja është e pranueshme sepse edhe kur opozita insistonte me ngulm që të kishte zgjedhje, ne ju thamë që të shkojmë në zgjedhje por ata u zmbrapsen”, tha Arjeta Fejza, deputete e LVV-së.
E njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu bën të ditur se ligji e përcakton qartë se pas propozimeve të partive parlamentare, kompetenca për përzgjedhjen e datës i takon vet të parës së shtetit.
“Ligji thotë 60 me 30 ditë, dhe në këtë interval kohorë të këtyre afateve presidentja duhet ta vlerësoi propozimin e secilit subjekt politik, nëse ka një propozim që është nga shumica e subjekteve politike që dominojnë nga ato që i ka ftuar, edhe që janë në skemën parlamentare do duhej ta merrte me diskrecionin e saj është në të drejtën e saj që ta zgjedh një datë dhe të caktoi”, tha ai.
Baraliu beson se këto afate ligjore, do të respektohen nga presidentja Osmani.
“Ligji thotë zgjedhjet duhet të mbahen saktësisht ditën e diele të përfundimit të katërvjeçarit, do të thotë katër vite por dita e diele që i bjen e diela e parë që e bije në atë termin të përmbushjes të mandatit pra është mjaft strikt dhe rigoroz edhe ligji edhe Kushtetuta. Prandaj këto afate ligjore dhe kushtetuese do duhej ti respektonte edhe subjektet politike pa hatër mbetje”, vlerëson ai.
E politiologu, Fidan Ukaj beson se data përzgjedhur do të bëhet e ditur së shpejti.
“Tani presidentja Osmani i ka të gjitha datat qoftë të pozitës qoftë të opozitës. Tani mbetet në diskrecionin e saj t’i konsultojë këto data, poashtu të përcakton një datë për mbajtjen procesit të ri zgjedhor. Propozimet e partive i kanë mundësuar presidentes me gjet një datë finale sepse LVV nuk kishte një datë të caktuar, mendoj se shpejt presidentja del me datë finale për mbajtjen e procesit të ri zgjedhor sipas gjitha gjasave do të jetë muaji janar apo muaji shkurt”, shprehet Ukaj.
Në takimin e mbajtur më 31 korrik, opozita kishte propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.