Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është epope e dinjitetit, krenarisë dhe lirisë së Kosovës.
Në seancën solemne në Kuvend për nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Osmani theksoi se datat 5,6 dhe 7 mars, janë shtyllat më të forta në të cilat u ngrit shteti i Kosovës, raporton teve1.info.
“Kjo epope e UÇK-së, është epope e dinjitetit, e krenarisë dhe lirisë së Kosovës. Në këtë ditë kujtojmë edhe të gjitha gratë e fëmijët e familjes Jashari. Ngjarjet e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998, përbëjnë jo vetëm kujtesën tonë për historinë më të re të Kosovës, por edhe njërën ndër shtyllat më të forta në të cilat u ngrit shteti ynë i ri, Republika e Kosovës. Këto ngjarje janë pjesa më e rëndësishme e trashëgimisë tonë historike, mbi të cilën ne e shtresojmë secilën përpjekje për ta konsoliduar shtetin tonë, për të cilin breza të tërë sakrifikuan edhe më të shtrenjtën e tyre, jetën”, deklaroi Osmani në Kuvend.
Gjithashtu, Osmani tha se në çdo fillim mars, vështrimi qytetar dhe institucional kthehet nga ngjarjet historike të cilat kanë shënjuar një kthesë vendimtare për Kosovën.
“Kushtrimi i dhënë më 5 mars nga komandanti legjendar, Adem Jashari, bashkë me familjen e tij, ishte kushtrimi i mobilizimit të vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët për gjatë 3 ditëve të betejës në Prekaz, me një përballje heroike me forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, fituan përjetësinë”, u shpreh tutje Osmani.
Madje, Osmani deklaroi se në ditë si këto, është shumë e rëndësishme që tu flasin fëmijëve për fëmijët e Jasharajve që ranë në altarin e lirisë.
“Prandaj, ne duhet dhe do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për gjithë luftën e UÇK-së”, potencoi Osmani.
Derisa shtoi se nuk thuhet kot që popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre, rrezikojnë t’i nënshtrohen përsëritjes së saj./teve1.info/.







