Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u kanë bërë thirrje partive politike, në veçanti Lëvizjes Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, të arrijnë një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit para 26 korrikut, afat i paraparë nga Gjykata Kushtetuese. Në të kundërtën, të njëjtat kanë paralajmëruar se nuk do të rrinë duarkryq, pasi siç thanë, shteti i Kosovës nuk mund të mbahet peng i askujt.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, në një konferencë për media tha se po e ndjekin me shqetësim të madh krizën politike në vend, ku as pas më shumë se pesë muajve nuk po formohen institucionet e reja.
“Po e ndjekim me shqetësim të madh ngërçin e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo situatë e krijuar së fundmi, ku janë bërë 48 tentime për konstituim, tregon se partitë politike nuk kanë vullnet të sinqertë për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga ky bllokim institucional. Ne si kategori e dalë nga lufta e UÇK-së u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, me theks të veçantë partisë së parë që ka dalë nga zgjedhjet, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për formimin e institucioneve. Kjo situatë është e papranueshme për ne si kategori dhe për popullin shqiptar. Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim të qartë se Kuvendi duhet të konstituohet deri më 26 korrik 2025. Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës së Kosovës”, theksoi Syla.
Gjykata Kushtetuese, në një aktgjykim në fund të muajit qershor, ka obliguar partitë parlamentare të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, por e njëjta nuk ka treguar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë.
Syla tha se nëse s’ka zgjidhje dhe formim të institucioneve deri më 26 korrik, atëherë ata nuk do të rrinë duarkryq, megjithatë nuk tregoi për veprimet që mund t’i ndërmarrin.
“Shteti nuk mund të mbahet peng nga asnjë individ, qoftë ai edhe kryeministër. Nëse deri më 26 korrik nuk ka reflektim për ta zgjidhur këtë situatë, ne si kategori e dalë nga lufta nuk do të qëndrojmë të heshtur apo duarkryq. Kosova është ndërtuar mbi gjakun e bijve dhe bijave më të mira të këtij vendi dhe nuk do të lejojmë askënd të shkelë mbi këtë sakrificë”, tha ai.
Duke folur për rrëzimin e mocionit të Dhomave të Specializuara në Hagë për largimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Syla tha se kjo gjykatë është politike dhe se janë duke u angazhuar që politikisht ta kundërshtojnë të njëjtën.
Ai bëri të ditur se kanë dërguar letra në adresë të ambasadave dhe ambasadorëve të shteteve mike, eurodeputetëve dhe të dërguarit të presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell.
Madje, Syla tha se janë caktuar takime në katër ambasada të ndryshme për të diskutuar për Gjykatën Speciale, mirëpo nuk tregoi se cilat janë ato.
“Kjo gjykatë është politike. Meqenëse është e tillë, ne kemi menduar se vetëm në formë politike duhet t’i kundërvihemi. Pasi nuk jemi të sigurt se si kategori e dalë nga lufta nëse dalim të bëjmë protestë, çfarë efekti do të ketë. Kemi ndërmarrë një sërë veprimesh. Kemi shkruar ambasadorëve dhe ambasadave, po ashtu edhe ambasadorit Grenell dhe shumë deputetëve të Parlamentit Evropian. Meqenëse ky gjykim do të jetë politik për liderët tanë, duhet të ndiqet rruga politike. Vizitën e fundit e kemi pasur në Parlamentin Zviceran. Disa prej ambasadave, katër prej tyre, na kanë pritur dhe kemi caktuar datat për takim”, tha ai.
Sa i përket deklaratave të presidentes Osmani, e cila në SHBA ka deklaruar se presidenti Trump së fundmi ka parandaluar Serbinë të përshkallëzojë situatën në Kosovë, ai tha se ato që thotë presidenti amerikan kanë të drejtë, mirëpo, sipas tij, e para e vendit nganjëherë po humb rrugën.
Siç thotë ai, presidentja Osmani më mirë është të merret me ish-eprorët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe ta kthejë kokën kah kategoritë e dala nga lufta.
“Ato që i thotë presidenti Trump dhe ambasadori Grenell gjithmonë kanë të drejtë. Presidentja jonë nganjëherë e humb rrugën dhe do të ishte mirë të merrej me ish-presidentin Thaçi dhe bashkëluftëtarët atje. Do të ishte mirë që ajo të bënte ndonjë të mirë për ta, apo të kthente kokën nga kategoritë e lirisë, pasi asnjëherë nuk e ka shkelur këtë zyrë këtu. Ajo çka thotë nuk ka rëndësi, pasi nuk na përfaqëson denjësisht, siç mendojmë ne”, përfundoi Syla.
Krah me Sylën në adresimin e këtyre mesazheve ishin edhe përfaqësues nga organizata e Invalidëve dhe të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së.