Deputeti, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se çështja e zgjedhjes së presidentit të Republikës nuk përbën krizë për partinë e tij, por sipas tij po paraqitet si e tillë nga opozita për arsye politike.
Në një intervistë për emisionin “Info NATA” në Tëvë1, Rrustemi ka thënë se opozita po e trajton procesin e zgjedhjes së presidentit si mënyrë për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai ka theksuar se në Lëvizjen Vetëvendosje është i qartë vullneti për ta zgjedhur presidentin dhe për të vazhduar me agjendën qeverisëse, duke shtuar se sipas tij bllokada nuk po vjen nga partia në pushtet.
“Ne e kemi ndarë mendjen për ta zgjedhur presidentin e Republikës dhe për ta tejkaluar këtë sfidë, dhe për t’iu rikthyer angazhimit intensiv për ta përmbushur programin qeverisës dhe për t’i realizuar zotimet për të cilat qytetarët kanë votuar në mënyrë plebishitare në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Për ne nuk është çështje krize çështja e presidentit, por po artikulohet si e tillë nga opozita, në leximin tim, si formë e tërthortë e refuzimit të rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Pra, unë do të thoja që kjo është një mënyrë për të mos e pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe kur nuk je rehat me rezultatin, pastaj gjithçka të duket si problem dhe pengesë, dhe e shfrytëzon çdo situatë për ta pamundësuar qeverisjen”, ka thënë ai.
Rrustemi ka shtuar se, ndonëse mund të kuptohet qëndrimi i opozitës që kundërshton një president me afërsi politike me VV-në, nuk mund të justifikohet përdorimi i këtij procesi si mjet për bllokim institucional.
Sipas tij, zgjidhja e situatës varet nga vullneti politik i palëve dhe jo vetëm nga Vetëvendosje, duke theksuar se mungesa e lëvizjes nga opozita po e vështirëson procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Nuk është në asnjë mënyrë çështje e komoditetit dhe unë jam këtu sonte për ta artikuluar qëndrimin dhe vullnetin e Lëvizjes Vetëvendosje për të gjetur një zgjidhje, por po them që nuk varet nga ne, sepse nëse pala tjetër nuk ka vullnet dhe nuk bën asnjë lëvizje, atëherë natyrisht që bëhet proces i vështirë. Unë mund ta kuptoj pozicionin e opozitës që e kundërshton një president që ka, le të themi, identitet partiak të LVV-së, por nuk mund ta arsyetoj që e sheh procesin e zgjedhjes së presidentit si një mundësi për ta bllokuar qeverisjen dhe vendin, siç kanë bërë edhe në vitin 2025. Nuk është se varemi ne nga votat e opozitës, por varet vendi për sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit”, ka përfunduar Rrustemi./teve1.info/








