Talenti Nuredin Rexhepi është futbollisti i radhës që i bashkohet Kombëtares së Kosovës. 17-vjeçari, i cili është pjesë e VfB Stuttgart, ka vendosur të vesh fanellën e ‘Dardanëve’.
Kryetri i FFK-së, Agim Ademi përmes llogarisë së tij në Facebook, ka zyrtarizuar prurjen e re tek Kombëtarja jonë.
“Sot dua të ndaj me të gjithë ju një tjetër lajm të mrekullueshëm pasi talenti i ri, Nuredin Rexhepi, tashmë do të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës. Nuredini është një 17-vjeçar shumë premtues, qendërmbrojtës i ekipit të VfB Stuttgart. Nuredini, i cili deri tash ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të Gjermanisë, ka vendosur të luajë me gjithë zemër për Kombëtaren e Kosovës. Ky vendim i vlefshëm është marrë nga Nuredini dhe familja e tij, duke shprehur dëshirën e tyre të flaktë për ta përfaqësuar vendin e tyre. Nuredini ka treguar shkathtësi të jashtëzakonshme në fushën e gjelbër. Përveç performancës së mirë në repartin e mbrojtjes, ai ka shënuar edhe katër gola në sezonin e kaluar në Bundesligën U17. Kjo e dëshmon talentin dhe efikasitetin e tij edhe para portave kundërshtare”, ka shkruar Ademi.
Ai ka shtuar se është Diasporë e mrekullueshme, e cila po i rrit fëmijët e tyre me dashuri për atdheun.
“Nuredini është shembull i shkëlqyeshëm i gjithë kësaj, duke e vendosur Kosovën në zemrën e tij dhe duke shprehur dëshirën për të përfaqësuar ngjyrat e kombëtares sonë”, ka shkruar Ademi.
Tani mbetet që ai të rregullojë dokumentacionin e nevojshëm dhe të pajiset me nënshtetësinë e Kosovës në mënyrë që ta fitojë të drejtën të luajë në fanellën dardane.