Ani se sot përfundoi afati për lirimin e objektit që po përdoret nga strukturat paralele një gjë e tillë nuk ka ndodhë. Zyrtarë të Komunës së Mitrovicës së Veriut nuk ndërmorën aksion për lirimin e tij, derisa punëtorët atu po i ruan KFOR-i dhe EULEX-i.
Qëndruan gjatë gjithë natës brenda objektit.
Kjo pasi që të premten ishte paralajmëruar ndërhyrja për largimin e strukturave paralele serbe nga objekti që është pronë e Kosovës, këtu në Lagjen e Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës.
Andaj 40 punëtorët e institucioneve ilegale, në këtë formë po tentojnë që ta parandalojnë një gjë të tillë.
Ekipe të KFOR-it dhe EULEX-it u stacionuan shumë pranë tyre.
Lëvizjet e ekipeve të sigurisë ndërkombëtare ishin të shpeshta.
Por, jo edhe të punëtorëve brenda objektit.
Ata prisnin që mund të ketë ndërhyrje të inspekcionit komunal të Komunës së Mitrovicës së Veriut, me asistencë të Policisë së Kosovës.
Mirëpo, ai që e mori vendimin nuk u lajmërua përgjatë gjithë të premtes.
Erden Atiq, i pari i Qeverisë së Kosovës, nuk kërkoi asistimin e policisë për të implementuar vendimin.
I vetmi që foli edhe atë përmes telefonit nga zyrtarët komunal, ishte Visar Shala, shef i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
Sipas tij, asgjë nuk do të ndryshojë nga vendimi për lirimin e objektit.
Derisa zyrtarët lokal po shprehen të vendosur për një gjë të tillë, ndryshe po shprehet presidenti i Serbisë.
Sipas Aleksandër Vuçiqit, nuk do të lejohet në asnjë formë largimi i serbëve nga institucionet – të cilat veprojnë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.
Vuçiq po thotë se nuk i lëshojnë ndërtesat tek Kosova, të cilat siç thotë ai nuk i ka pasur kurrë.
E derisa në terren nuk kishte aksion dhe vetëm deklarata politike, KFOR-i dhe EULEX-i mbetën të stacionuar para objektit.
Brenda tij edhe pas orarit të punës vazhduan qëndrimin punëtorët e strukturave ilegale.
Duket se qëndrimi i tyre do të jetë më i gjatë dhe për këtë ata po furnizohen edhe me ushqime.
Autor: Arton Rama