Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, kanë kërkuar sot nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta kenë si prioritet trajtimin e çështjes mbi rritjen e buxhetit për shërbime sociale si domosdoshmëri për mbrojtjen e grave.
Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt, pas raportimeve dhe kërkesave të përsëritura për mbrojtje, nënvizon nevojën urgjente për një reagim institucional efektiv ndaj dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave Gjithashtu, vrasja e një foshnje tremuajshe në Gjilan nënvizon urgjencën për forcimin e shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve, përkujton KOMF, raporton KosovaPress.
KOMF thotë se identifikimi i hershëm i rrezikut, ndërhyrja në kohë dhe menaxhimi i koordinuar i rasteve, duhet të mbështeten nga profesionistë të mjaftueshëm dhe shërbime që udhëhiqen nga interesi më i mirë i fëmijës.
Për më tepër, KOMF rikujton se 38 Qendra për Punë Sociale dhe rreth 50 organizata joqeveritare të licencuara po përballen me kufizime të mëdha në burime njerëzore dhe financim, dhe vazhdojnë të jenë të mbingarkuara me trajtimin e rasteve emergjente.
Aktualisht, një zyrtar i QPS-së në komunat e mëdha trajton rreth 350 lëndë aktive në vit. Organi i Kujdestarisë në shumicën e komunave nuk i ka të angazhuar të pesë profesionistët e kërkuar me ligj dhe nuk është funksional. Përveç mungesës së burimeve njerëzore, QPS-të përballen edhe me mungesë të theksuar të kushteve logjistike dhe infrastrukturore, thekson KOMF.
Në këtë mënyrë, KOMF thotë se organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale për fëmijët, gratë dhe familjet në situata të cenueshme, përballen me mbylljen e shërbimeve për shkak të mungesës së financimit të qëndrueshëm, gjë e cila rrezikon të cenojë shërbimet thelbësore dhe jetike.








