Një shtetas amerikan ka humbur jetën sot si pasojë e një vetaksidenti në zonën malore të fshatit turistik Prevallë.
Lajmin për tëvë1.info e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi i cili ka thënë se viktima derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë ka humbur kontrollin dhe është rrokullisur jashtë rrugës.
Policia ka bërë të ditur se vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Sot, më datën 09.04.2026, rreth orës 17:00, Policia është informuar se në zonën malore të fshatit turistik Prevallë ka ndodhur një vetaksident. Sipas informatave fillestare, një turist, derisa ishte duke drejtuar një motoçikletë me katër rrota (ATV), në një moment ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është rrokullisur jashtë rrugës. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit, mashkull, shtetas amerikan, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor nga Emergjenca e Prizrenit. Njësitet policore dhe Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në konsultim me prokurorin janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbledhjen e provave dhe dëshmive lidhur me rastin”, ka deklaruar Bytyqi./teve1.info/




