Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji për reperin Butrint Januzi, i njohur si Buta, si dhe për një tjetër të dyshuar, pas një incidenti që ndodhi të shtunën mbrëma.
Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar për vepra penale që lidhen me “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, “lëndim të rëndë trupor” dhe “mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Në vendim thuhet se gjatë një përleshjeje në një parking në Ferizaj janë përdorur edhe mjete të rrezikshme, përfshirë thikë dhe armë zjarri, duke shkaktuar lëndime dhe rrezik për sigurinë publike.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar paraburgim për të dy të pandehurit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 1; dhe B.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1; dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim. /teve1.info/




