Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet J.R., i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit J.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ish Ligjit Penal të ish RSFJ-së”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është e nevojshme për shkak të rrezikut të arratisjes dhe pengimit të procedurës penale.
“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse i pandehuri lihet në liri, mund të arratiset me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se i pandehuri është shtetas i Serbisë, çka sipas saj rrit rrezikun që ai të bëhet i paarritshëm për organet e drejtësisë.
“I njëjti është edhe shtetas i Serbisë, andaj ekziston rreziku real që të arratiset lehtë dhe të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tij dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rrezik që i pandehuri të ndikojë në prova dhe dëshmitarë nëse do të lihej në liri.
“Nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku që i njëjti të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e papenguar të procedurës penale”, ka bërë të ditur Gjykata.
Ndaj këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.







