Jo çdo kush mund të blejë një banesë në Prishtinë.
Kjo pasi çmimet e tyre kanë shënuar një ngritje të madhe.
Një metër katror në lagjet Lakrishtë apo Daradani në kryeqytet kap vlerën deri në 2900.
Por nëse dëshiron të jetosh në kryeqendrën e Kosovës ke edhe mundësi më të lira.
“Në Prishtinë e Re çmimet varirojnë nga 1 mijë euro e deri ne 1 mijë e 300 euro, varësisht nga ndërtuesi dhe pozita e objektit. Ndërsa duke ardhur nga kryeqendra çmimet shkojnë 2mijë e 800, 2 mijë e 900 varësisht nga lokacioni, objektit, pozitës”, shprehet Zgjim Veliu, agjent i shtijes.
Këto shtrenjtime të banesave sipas agjentit të shitjes në një nga agjensionet e patundshmërisë, Zgjim Veliut ka ndodhur për disa arsye.
“Çmimet po ndryshojnë çdo vit për shkak se sipërfaqja tokësore është duke u pakuar dhe qyteti po zgjerohet sidomos në kryeqytet. Poashtu edhe çmimi i pronave shkon duke u rritur. Ky është faktori numër një sepse ka edhe faktor të tjerë. Në kulmin e pronave sidomos tek ndërtesat ndikon shumë edhe çmimet e materialeve të ndërtimit, sidomos ndërtimet e vrazhda, pas saj nuk janë edhe materialet e brendshme”, thotë ai.
E rritja e çmimit të banesave u evidentua edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas të dhënave të ASK-së në muajin prill, maj dhe qershor u shënua një ngritje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.
“Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) në Kosovë u rrit me 7,3 % në tremujorin e dytë (TM2) 2026, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025. Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e parë (TM1) 2026, çmimet e pronave të banimit shënuan rritje prej 1,3 %”, thuhet nga ASK.
Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, tregon se rritja e disa prej kostove të ndërtimit, ka bërë që kompanitë ta shfrytëzojnë mundësinë, dhe t’i rrisin çmimet.
“Siç dihet ka një problem të ligjit për shfrytëzimin e pasurisë së Kosovës dhe kemi një mungesë të licencimit tek bizneset të cilat shesin zhavorr dhe kjo besoj që ka ndikuar pozitivisht në rritjen e kostos së prodhimit dhe kostos së ndërtimit të banesave dhe natyrisht bizneset duke pas interesin për të fituar ato kanë rritur çmimet e banesave”, thotë profesori Qerimi.
Sipas ASK-së, në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën me 4,1 % në tremujorin e dytë 2026, krahasuar me tremujorin e dytë 2025. Kurse në rajonet e tjera të vendit, çmimet e banesave u rritën për 12,8 % në periudhën e njëjtë kohore.




