TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE
6 °c
Pristina
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE
6 °c
Pristina
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
No Result
View All Result

Një Mal i Zi më i lidhur me Serbinë?

nga TËVË 1
10 Prill, 2023
0
A A
Një Mal i Zi më i lidhur me Serbinë?

Me rreth 600.000 banorë, Mali i Zi luan rol kyç në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, është faktor i rëndësishëm për NATO-n, pasi i ofron kontroll të plotë të bregut të Adriatikut. Përtej kësaj, ka statusin e vendit më të suksesshëm në rajon sa i përket procesit integrues në BE.

Arkitekt i gjithë kësaj ka qenë Millo Gjukanoviq. Herë si kryeministër, herë si president, ai ka udhëhequr politikën malazeze për më shumë se 30 vjet. Ka qenë udhëheqësi më jetëgjatë i zgjedhur në Evropë. Por, kësaj epoke duket se i ka ardhur fundi më 3 prill.

“Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi kanë përfunduar. Mali i Zi e ka bërë zgjedhjen dhe unë e respektoj. Unë e përgëzoj Jakov Millatoviqin për besimin që ka marrë në zgjedhje”, ka thënë ai, pas shpalljes së rezultateve paraprake.

Ka qenë kjo humbja e parë e Gjukanoviqit në zgjedhje prej se ka hyrë në politikë në fillim të viteve 1990.

Kundërshtari i tij në balotazhin e 3 prillit, Jakov Millatoviq, ka fituar 59 për qind të votave. Këtë rezultat, Mali i Zi e ka pritur për më shumë se 30 vjet, ka thënë ai.

“Mali i Zi po shkon përpara, drejt pasurisë, drejt barazisë, drejt një vendi të së drejtës, besimit dhe unitetit, drejt Malit të Zi evropian”, ka thënë Millatoviq, pasi ka shpallur fitoren.

Millatoviq, 36 vjeç, ekonomist i shkolluar në Perëndim, vjen nga partia “Evropa tani”, e cila është formuar vitin e kaluar dhe ka prirje të deklaruara pro-evropiane. Por, për t’iu kundërvënë Gjukanoviqit në balotazh, ai ka marrë mbështetjen e Frontit Demokratik – parti populiste e krahut të djathtë, me qëndrime të hapura pro-ruse dhe pro-serbe.

Millatoviq ka hyrë në politikë në fund të vitit 2020, si ministër i Ekonomisë në Qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, pjesë e së cilës ka qenë edhe Fronti Demokratik. Ai është i afërt me Kishën Ortodokse Serbe, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në rrëzimin e Qeverisë së Gjukanoviqit në vitin 2020. Kisha, po ashtu, ka ndikuar në përbërjen e Qeverisë së Krivokapiqit, anëtar i së cilës ka qenë Millatoviq.

Si ministër, Millatoviq është konsultuar me Mitropolitin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, për rritjen e natalitetit. Ai, po ashtu, ka mbështetur nënshkrimin e një marrëveshjeje që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën, por që, sipas ekspertëve, është e kontestueshme në aspektin kushtetues të vendit.

Sa i përket politikës ndërkombëtare, Millatoviq ka thënë se nuk do të vë në pikëpyetje anëtarësinë e Malit të Zi në NATO, e as procesin euro-integrues.

“Unë, si president i Malit të Zi, bashkë me të gjithë ju, do ta fusim Malin e Zi në BE, në pesë vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai para mbështetësve në Podgoricë.

Ky zotim, megjithatë, shihet me skepticizëm nga disa njohës të çështjeve politike në Mal të Zi, për faktin se Millatoviq ka të kaluar me Frontin Demokratik pro-serb. Presidenca në Mal të Zi është post ceremonial, por fitorja e bindshme e Millatoviqit do të ketë “ndikim vendimtar” në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që janë caktuar për datën 11 qershor, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Sinisha Vukoviq, ligjërues i menaxhimit të konflikteve dhe politikave globale në Universitetin Johns Hopkins.

“Impulsi që është krijuar me këtë fitore të Jakov Millatoviqit, nuk do të kalojë pa u vënë re nga ana e votuesve. Do të ketë një numër të madh votuesish që do ta shohin këtë si shans për të mbështetur një opsion të ri politik – edhe pse për shumë kë, ai është i panjohur dhe vazhdon të shprehë qëndrime shumë të përgjithshme”, thotë Vukoviq.

Zllatko Vujoviq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Podgoricës, shpreh po ashtu bindjen se partia e Millatoviqit do të tërheqë zgjedhës edhe të partive të tjera në zgjedhjet parlamentare. Nuk është e sigurt nëse “Evropa tani” do të mund ta formojë e vetme Qeverinë e ardhshme dhe kjo, sipas Vujoviqit, është shqetësuese.

“Millatoviq e ka thënë në një intervistë se ai dëshiron të bëjë koalicion me Frontin Demokratik dhe se atë e sheh si aleat të natyrshëm. Gjykuar nga kjo, ai është i afërt me politikën dhe ideologjinë e Frontit Demokratik, që është një politikë pro-serbe dhe pro-ruse”, thotë Vujoviq.

Mali i Zi e ka rreth një të tretën e banorëve që deklarohen si serbë. Marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe e kanë ndarë prej kohësh këtë vend në dy kampe – njërin që kërkon lidhje të ngushta midis shtetit dhe Kishës, dhe tjetrin që mbron një distancë me Kishën, duke pretenduar se Kisha personifikon ndikimin e vazhdueshëm të Serbisë, shkruan REL.

Nga viti 2020, kur është rrëzuar qeverisja e Gjukanoviqit, janë rrëzuar edhe dy qeveri të tjera në Mal të Zi, për shkak të konflikteve të brendshme. Aktualisht, në detyrë është një qeveri teknike, me në krye Dritan Abazoviqin, i cili po ashtu ka qenë pjesë e Qeverisë së Krivokapiqit.

Në raportin e progresit për Malin e Zi, të publikuar në tetor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim për paqëndrueshmërinë politike dhe qeveritare në këtë vend dhe, rrjedhimisht, për vonesat në zbatimin e reformave.

Mali i Zi ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2008, dy vjet pasi ka shpallur pavarësinë nga Serbia.

Analistët thonë se është ende e paqartë nëse Millatoviq dhe partia e tij “Evropa tani” do të vazhdojnë t’i ndjekin politikat pro BE, përkundër deklarimeve. Vukoviq thotë se, në dy vjetët e fundit, Mali i Zi ka qenë një “thembër Akili” për BE-në.

Sipas tij, fitorja e Millatoviqit sinjalizon vazhdimësinë e politikës së ngjashme, që nuk ka synime faktike, por vetëm retorike, për ta dërguar Malin e Zi në BE. Vukoviq pret të shohë një Mal të Zi të lidhur më shumë me Serbinë.

“Formalisht, ‘Evropa tani’ është pro Evropës, pro NATO-s, dhe në njëfarë mënyrë vazhdon politikën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Por, në të njëjtën kohë, ajo do të angazhohet fuqishëm në bashkëpunim me Serbinë, në krijimin e një Serbie të vogël në Mal të Zi, e cila do të përcjellë plotësisht politikën e jashtme serbe”, thotë Vukoviq.

Po cilat janë interesat e Serbisë në Mal të Zi? Vujoviq shpjegon për Exposenë:

“Interesat e Serbisë janë të qarta. Ato janë: destabilizimi i Malit të Zi – ngjashëm siç është edhe destabilizimi i Kosovës dhe i Bosnje e Hercegovinës – dhe shfrytëzimi i komuniteteve serbe në këto tri shtete, jo vetëm për destabilizim, por edhe në vendimmarrje”.

Serbia është ftohur nga Mali i Zi kur ai ka shpallur pavarësinë në vitin 2006, por edhe kur Qeveria e Gjukanoviqit në vitin 2008 ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Millatoviq ka thënë këtë javë se vendi i tij nuk do ta tërheqë njohjen e Kosovës, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Serbia. Për më tepër, Serbia ka lobuar në vende të ndryshme që të mos e njohin Kosovën, ose të tërheqin njohjen e saj.

Vujoviq thotë se deklarata e Millatoviqit për Kosovën ka qenë e pritshme.

“Aktualisht, ai nuk mund t’i lejojë vetes konfrontime me partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, është i qartë qëndrimi i tyre negativ ndaj pavarësisë së Kosovës. Deklarata e tij është vetëm një lëvizje taktike, për të mos nxitur reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Unë besoj se ai do të bëjë gjithçka të mundur që marrëdhëniet me Kosovën të jenë minimale, ekskluzivisht teknike, pa ndonjë bashkëpunim real. Shumica dërrmuese e zyrtarëve në partinë e tij kanë qëndrim negativ kur bëhet fjalë për pavarësinë e Kosovës, nuk e njohin atë, por i druhen reagimit të partnerëve ndërkombëtarë”, thotë Vujoviq.

Në Podgoricë, fitorja e Millatoviqit është festuar me këngë për Kosovën dhe me flamuj të Serbisë.

“Normalisht që presim të bëhet më mirë. Mjaft ishte, tung Millo”, ka thënë Gojko, një qytetar i kryeqytetit malazez.

“Shpërbërja e Republikës Federale të Jugosllavisë. A është kjo vepër e tij? Po. Njohja e Kosovës, gjë të cilën populli nuk e ka dashur. Hyrja në NATO – populli nuk e ka dashur”, është shprehur ai.

“Unë mendoj se ndryshimet janë të mirëseardhura, por jo me çdo kusht. Do të shohim se çfarë sjell kjo”, ka thënë Branka, një tjetër qytetare e Podgoricës.

Gjatë tri dekadave në pushtet, Gjukanoviq ka qenë dy herë president dhe gjashtë herë kryeministër. Periudha e udhëheqjes së tij është karakterizuar me afera të mëdha korrupsioni dhe akuza për shitjen e burimeve shtetërore. Ai ka besuar se marrëdhëniet jo të mira midis Podgoricës dhe Beogradit janë pasojë e ringjalljes së aspiratave serbomadhe ndaj Malit të Zi. “Sot, nacionalizmi i madh serb qëndron në krye të politikës shtetërore serbe”, ka thënë në një rast Gjukanoviq.

Tags: Jakov MillatoviqMali i ZiMillo Gjukanoviq
ShareTweet

Postime të ngjashme

Zelensky në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian

Zelensky në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian

Vizita e Starmer në Tiranë, nis një kapitull i ri i marrëdhënieve Britani – Shqipëri

Vizita e Starmer në Tiranë, nis një kapitull i ri i marrëdhënieve Britani – Shqipëri

Taravari: I shokuar që Osmani keqpërdori pozicionin për t’ia bërë argatin Serbisë

Taravari e dorëzon dorëheqjen në Qeveri

Vuçiq krah për krah me Lunen, të arrestuarin për sulme terroriste nga PSRK

Vuçiq krah për krah me Lunen, të arrestuarin për sulme terroriste nga PSRK

Ibishi thotë se LDK-ja do duhej ta pranonte ofertën e LVV-së për koalicion

Ibishi thotë se LDK-ja do duhej ta pranonte ofertën e LVV-së për koalicion

Zelensky në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian

Zelensky në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian

Barcelona, kampione e re e La Ligas, dominim i katalunasve në Spanjë

Barcelona, kampione e re e La Ligas, dominim i katalunasve në Spanjë

“InfoNata” 15.05.2025

“InfoNata” 15.05.2025

Xani thotë se e sheh të pamundur një koalicion LVV-PDK

Xani thotë se e sheh të pamundur një koalicion LVV-PDK

Mitaj, Benzema e Kante, shpallen kampionë të Arabisë Saudite me Al-Ittihad

Mitaj, Benzema e Kante, shpallen kampionë të Arabisë Saudite me Al-Ittihad

Tension para derbit të Espanyolit, 13 tifozë të lënduar jashtë stadiumit

Tension para derbit të Espanyolit, 13 tifozë të lënduar jashtë stadiumit

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2025 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • SHOW BIZ
  • OPINIONE

© 2022 - 2025 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

X