Kanë nisur në Prishtinë xhirimet e filmit të ri artistik “Zbardhje”, me regji të Kaltrina Krasniqi, një nga emrat më të spikatur të kinemasë bashkëkohore kosovare.
Projekti prodhohet nga Vera Films dhe ribashkon bashkëpunëtorët kryesorë nga filmi i saj i parë me metrazh të gjatë, Vera Andrron Detin, i cili pati premierën në seksionin Orizzonti të edicionit të 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venedik.
Në rolet kryesore të “Zbardhje” interpretojnë Adriana Matoshi dhe Arta Dobroshi, ndërsa në role mbështetëse shfaqen Kosovare Krasniqi, Agron Shala, Aurita Agushi, Art Pasha dhe Blerta Ismaili.
I vendosur në Prishtinën bashkëkohore, filmi sjell historinë e dy grave, jetët e të cilave kryqëzohen në ambientin e punës.
Fatimja, që vjen nga periferia dhe punon si mirëmbajtëse, dhe Elvira, drejtuese e një kompanie marketingu në qendër të qytetit, përfaqësojnë dy realitete që afrohen, por edhe përplasen mes tyre.
Përmes këtij raporti, filmi vëzhgon transformimet urbane dhe sociale të qytetit, ku proceset e rindërtimit shpesh shoqërohen me fshirje simbolike të kujtesës dhe identitetit.
“Zbardhje” përdor këtë koncept si një metaforë socio-kulturore dhe arkitektonike, duke trajtuar mënyrën se si hapësirat, trupat dhe historitë “pastrohen” apo fshihen në emër të aspiratave zhvillimore.
Filmi mban firmën e Doruntina Basha në skenar dhe prodhohet nga Ares Shporta. Projekti realizohet me mbështetjen e institucioneve dhe fondeve ndërkombëtare, përfshirë Qendrën Kinematografike të Kosovës, Qendrën Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare, si dhe partnerë nga Bullgaria dhe Mali i Zi.
“Zbardhje” është një bashkëprodhim ndërkombëtar mes kompanive Vera Films (Kosovë), Portokal (Bullgari), Papadhimitri Productions (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi).
Gjatë fazës së zhvillimit, projekti është përkrahur nga platforma prestigjioze si Gothenburg Film Festival, Thessaloniki Film Festival dhe Torino Film Lab, ndër të tjera.
Xhirimet do të zhvillohen në Prishtinë dhe në Ulqin gjatë periudhës mars–prill 2026.
Në ekipin krijues bëjnë pjesë drejtorja e fotografisë Sevdije Kastrati-Dill, kompozitori Petrit Çeku, kostumografja Alma Krasniqi dhe skenografi Burim Arifi, duke kompletuar një ekip të konsoliduar artistik.











