Analisti politik Artan Nimani e ka vlerësuar si të vonuar dorëheqjen e Bedri Hamzës nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas Nimanit, Hamza është dashur të largohej nga kjo pozitë më herët, pas humbjes në tri palë zgjedhje.
“Në plan të parë, Hamza është vonuar me dorëheqje, sepse nëse i humb tri palë zgjedhje, nuk ke çfarë pret më. Është vonuar absolutisht. Të paktën në zgjedhjet e fundit nuk është dashur të hyjë si bartës i listës, por proceset ishin siç ishin, ishin të caktuara datat e aktgjykimit të Hagës, prandaj është mirëkuptuar”, ka thënë Nimani në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndërkohë, duke komentuar emërimin e ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, pas dorëheqjes së Hamzës të mërkurën, Nimani e ka vlerësuar këtë vendim si të drejtë.
Ai ka thënë se pozita e sekretares së përgjithshme të partisë, të cilën e mban ushtruesja e detyrës së kryetares, e bën atë personin e duhur për ta udhëhequr PDK-në deri në përfundimin e procesit të brendshëm zgjedhor.
“Është e drejtë, për arsye se pozicioni i saj është sekretare e përgjithshme, pra pozicioni i dytë në parti, dhe është personi i duhur për ta drejtuar partinë deri në procesin e brendshëm zgjedhor të PDK-së. Edhe e hap garën”, ka deklaruar Nimani./teve1.info/








