Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim tre të dyshuarve, F.M., V.M. dhe A.D., nën dyshimet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim dhe hyrje në sistemet kompjuterike.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurorja speciale Arbëresha Shala, në seancën dëgjimore, ka elaboruar kërkesën për paraburgim, duke theksuar se provat materiale dhe ato të sekuestruara mbështesin dyshimin e arsyeshëm për ndërhyrje të paautorizuar në llogaritë bankare të personave të ndryshëm.
Po ashtu, këto prova lidhen edhe me materialet e dërguara nga autoritetet gjermane, të cilat e arsyetojnë kërkesën e prokurorisë për paraburgim ndaj të akuzuarve.
Mbrojtësi i F.M., avokati Haxhi Millaku, ka deklaruar se kërkesa e prokurorisë nuk i plotëson kushtet ligjore, pasi mungon individualizimi i veprimeve konkrete që i atribuohen të mbrojturit të tij, si dhe nuk janë përcaktuar vlerat e supozuara të dëmit apo paraqitur ekspertizë financiare që të mbështeste dyshimin për veprimtarinë ekonomike të tij.
Mbrojtësi i V.M., avokati Arian Prebreza, ka deklaruar se kundërshton në tërësi kërkesën e PSKR-së, duke theksuar se prokuroria nuk ka arsyetuar ekzistimin e dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale nga i mbrojturi i tij, pasi mungojnë fakte dhe prova konkrete e të individualizuara.
Ai ka shtuar se përshkrimi i veprimeve është i përgjithshëm, abstrakt dhe i bazuar në supozime të paargumentuara.
Mbrojtësi i A.D., avokati Gazmend Halilaj, ka thënë se në përshkrimin faktik të veprimeve mungojnë të dhënat thelbësore, si vendi i kryerjes së veprimeve të pretenduara inkriminuese, duke theksuar se të dëmtuarit janë shtetas të huaj, çka vë në dyshim kompetencën territoriale të gjykatave të Kosovës.
Ai ka shtuar gjithashtu se nuk është individualizuar roli i të dyshuarve, nuk dihet shuma e supozuar e përfitimit, si dhe nuk janë të qarta veprimet e personave të tjerë të dyshuar, apo fakti nëse veprat janë kryer apo kanë mbetur në tentativë.
Gjykata ka konstatuar se, pas shqyrtimit dhe analizës së provave të siguruara gjatë fazës së hetimeve dhe raporteve zyrtare të autoriteteve vendore e ndërkombëtare, është plotësuar standardi ligjor i “dyshimit të bazuar mirë” se të pandehurit kanë kryer veprat penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe hyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku real i ikjes së të pandehurve, duke u mbështetur në natyrën dhe peshën e veprave penale të dyshuara, të cilat janë të rënda dhe të dënueshme me burgim të gjatë, gjë që mund të krijojë motiv për shmangie nga procedura penale.
Në vendim thuhet se ekziston gjithashtu rreziku që, nëse lirohen, të pandehurit mund të pengojnë procedurën penale duke ndikuar në prova, dëshmitarë ose bashkëkryerës.
Gjykata ka konstatuar gjithashtu rrezikun e përsëritjes së veprave penale, duke u bazuar në karakterin e organizuar, të vazhdueshëm dhe të strukturuar të veprimtarisë së dyshuar, që tregon për aktivitet kriminal të planifikuar dhe të shtrirë në kohë.
Në fund, Gjykata, pasi aprovoi kërkesën për caktim të paraburgimit, ka njohur të drejtën e ankesës në afat prej 48 orësh.







