Autor: Fidan Mustafa
Në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut po zhvillohet një luftë e re për kontrollin e informacionit, narrativave dhe perceptimit publik. Rastet e fundit të spiunazhit të lidhura me BIA-n janë reale dhe serioze.
Por pyetja që duhet bërë është shumë më e madhe: A po luftojmë vetëm kundër spiunazhit serb, apo dikush po përpiqet njëkohësisht të ndërtojë një armik të ri brenda vetë shoqërisë shqiptare?
Sepse kur çdo rast spiunazhi fillon të lidhet me fenë islame, xhaminë, besimtarët apo komunitetet myslimane, atëherë nuk kemi më vetëm një histori sigurie. Kemi një histori politike.
Arrestimi i Fatmir Shehollit dhe hetimet për lidhjet e dyshuara me BIA-n hapën një kapitull të ri në debatin për spiunazhin serb në Kosovë. Sipas Prokurorisë Speciale, Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe i transmetonte informacione zyrtarit të saj, Bojan Dimiq, përfshirë të dhëna mbi institucione, aktivitete biznesore dhe prona të komunitetit serb në Kosovë.
Por këtu duhet të ndalemi. Sheholli nuk duhet të jetë fundi i analizës; duhet të jetë fillimi i saj. Sepse pas çdo rasti të zbuluar duhet të kërkojmë:
- Kush e rekrutoi?
- Kush e financoi?
- Kush e furnizoi me informacion?
- Kush e shpërndau informacionin?
- Kush e shndërroi informacionin në narrativë publike?
- Dhe kush përfitoi politikisht nga kjo narrativë?
Rastet e fundit tregojnë diçka shumë më interesante. Një ish-pjesëtar i ISIS-it, Hysri Selimi, u dënua në qershor 2026 me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të BIA-s. Sipas aktakuzës, ai kishte mbledhur informacione për persona të radikalizuar, pjesëmarrës shqiptarë në Siri dhe çështje të tjera të ndjeshme. Në një tjetër rast, ish-polici Bojan Jevtiq u dënua me gjashtë vjet burgim për transmetim të dokumenteve konfidenciale të Policisë së Kosovës dhe informacioneve të lidhura me AKI-n te BIA.
Pra, kemi dy profile krejtësisht të ndryshme: një ish-pjesëtar të ISIS-it dhe një ish-zyrtar policor. Kjo duhet të na bëjë të mendojmë, sepse spiunazhi nuk ka fe. Spiunazhi ka interes, qasje, informacion dhe rekrutim.
Pyetja që nuk po bëhet
Nëse kemi raste konkrete të bashkëpunimit me BIA-n, pyetja nuk duhet të jetë: “A janë këtë myslimanë?”
Pyetja duhet të jetë: “Çfarë informacioni i është kërkuar secilit prej tyre dhe pse?”
Sepse një shërbim inteligjent nuk rekruton një person për shkak të fesë së tij. E rekruton sepse ai mund të ketë: qasje në institucione, qasje në polici, qasje në politikë, qasje në media, qasje në komunitete, kontakte ndërkombëtare, informacion mbi njerëz të caktuar, ose aftësi për të ndikuar në opinionin publik. Dhe pikërisht këtu fillon loja e vërtetë.
Problemi bëhet shumë më serioz kur një rast konkret kriminal fillon të përgjithësohet. Një person i dyshuar ose i dënuar për spiunazh bëhet: “myslimani”, pastaj “radikali”, pastaj “xhamia”, pastaj “komuniteti” dhe në fund “rreziku islamik”. Kjo është pika ku duhet të ndizet alarmi, sepse një rast individual nuk mund të shndërrohet automatikisht në faj kolektiv. Nëse dikush është agjent i një shërbimi të huaj, ai duhet të trajtohet si agjent i atij shërbimi, jo si përfaqësues i një feje.
Paradoksi më interesant është ai i Hysri Selimit. Këtu kemi një nga rastet më të pazakonta të viteve të fundit: sipas aktakuzës dhe vendimit gjyqësor, një person që kishte qenë pjesë e ISIS-it u gjet fajtor për spiunazh në favor të BIA-s. Kjo e rrëzon një narrativë tepër të thjeshtë se “ISIS-i dhe BIA janë dy botë të kundërta”. Në realitet, një person mund të kalojë nga një rrjet në tjetrin, të përdoret për qëllime të ndryshme dhe të shfrytëzohet nga aktorë të ndryshëm. Kjo është arsyeja pse inteligjenca duhet analizuar përmes rrjeteve, jo përmes etiketave fetare.
A po krijohet një “armik i ri” te shqiptarët?
Këtu fillon hipoteza më interesante. A mund të jetë duke u ndërtuar gradualisht një narrativë ku:
- Serbët = Spiunë
- Myslimanët = Radikalë
- Shqiptarët = Të përçarë
- Shteti = I rrezikuar nga të dyja anët?
Nëse kjo narrativë forcohet, shoqëria shqiptare futet në një konflikt të brendshëm identitar. Dhe një shoqëri e përçarë është gjithmonë më e lehtë për t’u manipuluar. Prandaj duhet të hetohet jo vetëm spiunazhi, por edhe lufta informative që mund ta shoqërojë atë.
“Projekti 4.0” është rrugës
Nëse “Sheholli 2.0” përfaqëson modelin e vjetër të ndërmjetësimit informativ, atëherë mund të shtrojmë një hipotezë për një fazë tjetër: PROJEKTI 4.0.
Kjo formulë tregon se si një informacion i vetëm mund të përdoret si “armë” për të dobësuar një shoqëri nga brenda, hap pas hapi:
- Informacioni: Merret një fakt, një ngjarje apo një lajm (i vërtetë ose i dalë nga konteksti).
- Media: Ky informacion shpërndahet me të madhe në media dhe rrjete sociale.
- Narrativa: Lajmit i jepet një kuptim i caktuar (p.sh. “shiko si po na rrezikon ky grup”).
- Frika: Njerëzit fillojnë të frikësohen për sigurinë ose të ardhmen e tyre.
- Polarizim: Shoqëria ndahet në dy tabore extreme (“ne” kundër “atyre”).
- Konflikt shoqëror: Njerëzit fillojnë të perplasen, të urrehen dhe të luftojnë me njëri-tjetrin.
- Dobësim politik: Shoqëria e përçarë e humb fuqinë e saj dhe bëhet e lehtë për t’u manipuluar nga jashtë.
Me pak fjalë: Nuk ka nevojë të të sulmojë dikush me armë; mjafton të të prishë punë nga brenda duke përdorur mediat për t’ju përçarë.
Në këtë model, agjenti nuk është gjithmonë ai që mbledh informacionin. Ndonjëherë më i rëndësishëm është ai që e shndërron informacionin në perceptim publik. Sepse nëse destabilizohet hapësira shqiptare, objektivi nuk është vetëm Prishtina. Është një hapësirë shumë më e madhe: Kosovë – Shqipëri – Maqedoni e Veriut – Mali i Zi – Lugina e Preshevës.
Një konflikt i importuar në Kosovë mund të shndërrohet në konflikt identitar në Maqedoninë e Veriut. Një konflikt fetar në Kosovë mund të ndikojë Shqipërinë. Një narrativë anti-serbe mund të përplaset me një narrativë anti-myslimane. Dhe në fund, shqiptarët mund të fillojnë të luftojnë politikisht me njëri-tjetrin. Ky është rreziku real.
Në luftën moderne informative nuk është e domosdoshme që një palë të bindë të gjithë. Mjafton që:
- Një pjesë të besojë
- Një pjesë të dyshojë
- Një pjesë të zemërohet
- Një pjesë të urrejë tjetrën
- Dhe kërkush të mos i besojë më askujt.
Atëherë shoqëria fillon të fragmentohet vetë. Kjo është fuqia e luftës hibride.
Përfundimi
Nuk duhet ta relativizojmë spiunazhin serb. Nëse BIA ka rekrutuar njerëz në Kosovë, ata duhet të identifikohen, arrestohen dhe gjykohen. Rastet e fundit tregojnë se kërcënimi është real. Por ato tregojnë gjithashtu se profilet e personave të përfshirë janë të ndryshme dhe se problemi nuk mund të reduktohet në fenë e tyre. Prandaj, lajmet që tentojnë ta lidhin në mënyrë të përgjithshme Islamin, besimtarët myslimanë dhe spiunazhin serb duhet të analizohen me shumë kujdes. Sepse nëse pas rasteve reale të spiunazhit po ndërtohet një narrativë që e paraqet një komunitet të tërë si armik, atëherë kemi kaluar nga lufta kundër spiunazhit në luftën për kontrollin e shoqërisë.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja më e madhe: A po hyjmë nga “Sheholli 2.0” në një fazë të re, “Projekti 4.0”, ku objektivi nuk është vetëm mbledhja e informacionit, por krijimi i një armiku imagjinar? Një armik që mund të përdoret për të krijuar frikë; frika për të krijuar përçarje; përçarja për të dobësuar shqiptarët. Dhe një hapësirë shqiptare e dobësuar, e përçarë dhe e konfliktuar me vetveten është shumë më e lehtë për t’u manipuluar nga projektet gjeopolitike të aktorëve të jashtëm.
Prandaj, mos e kërkoni vetëm spiunin. Kërkoni edhe narrativën. Sepse ndonjëherë objektivi i vërtetë i një operacioni inteligjent nuk është njeriu që merr informacionin, por është shoqëria që më pas fillon ta besojë historinë që dikush tjetër ka ndërtuar për të.
(Autor i librit: Gjeopolitika e Ballkanit, e ardhmja e shqiptarëve në rajon)











