Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të Ministrisë, vendimi është marrë bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, pasi nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike.
“Në rast se kushtet për vendosjen e kufizimeve plotësohen, qytetarët dhe operatorët ekonomikë do të njoftohen me kohë”, theksohet në njoftim./teve1.info/









