Të shtunën, më 20 dhjetor, do të mbyllet afati për aplikim për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se periudha e aplikimit, e cila ka filluar më 5 dhjetor, do të përfundojë më 20 dhjetor 2025.
“Deri në këtë datë, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve”, njoftoi Elezi.
Sipas tij, akreditimi u mundëson vëzhguesve të përcjellin nga afër aktivitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve.
“Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mund tëi vëzhgojnë procesin përgatitor, mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)”, tha Elezi.
Deri më tani, KQZ ka akredituar 586 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.
Si bëhet aplikimi?
Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar (i organizatës joqeveritare, organizatës qeveritare/ndërqveritare, organizatës ndërkombëtare të specializuar në zgjedhje dhe të drejtat e njeriut; mediave; dhe përfaqësuesi i vendeve të huaja) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org
Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP, do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online në mënyrën që të bashkangjesë edhe të dhënat për personat e organizatës / medias që kërkon të akreditohen.
Informacione shtesë:
· Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontatoni në Zyrë përmes e-mailit [email protected] apo përmes telefonit +383 38 200 81 010.







