Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se disa ndeshje të Kupës së Botës 2026 mund të zhvendosen nga qytetet amerikane që konsiderohen me rrezik sigurie.
Duke folur në Zyrën Ovale, Trump tha se turneu “do të jetë i sigurt”, por theksoi se është i gatshëm të heqë ndeshjet nga qytetet pritëse “madje edhe pak të rrezikshme”. SHBA-ja do të presë pjesën më të madhe të ndeshjeve të Botërorit të ardhshëm, i cili për herë të parë do të zhvillohet me 48 ekipe dhe do të organizohet bashkë me Meksikën dhe Kanadanë.
Qytetet si Los Angeles, San Francisco dhe Seattle, fortesa tradicionale të demokratëve, janë në mesin e pritësve kryesorë. Vetëm Los Angeles pritet të presë tetë ndeshje, ndërsa San Francisco dhe Seattle nga gjashtë. Por Trump paralajmëroi se mund të ndërhyjë, duke përmendur edhe statistikat e larta të krimit në Çikago, megjithëse ky qytet nuk është pjesë e listës së pritësve.
“Do të jetë e sigurt për Kupën e Botës. Nëse mendoj se nuk është e sigurt, do ta zhvendosim në një qytet tjetër,” tha ai, duke shtuar se i njëjti parim mund të vlejë edhe për Lojërat Olimpike të Los Angelesit 2028.
Administrata e tij ka dërguar trupa të Gardës Kombëtare në disa qytete të drejtuara nga demokratët gjatë këtij viti, pavarësisht kundërshtimeve të autoriteteve lokale.
Trump, i cili më herët e ka emëruar veten kryetar të një task force të Shtëpisë së Bardhë për Botërorin, tha se tifozët mund të presin një përvojë “të përsosur” në SHBA. Ai gëzon një marrëdhënie të afërt me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili nga ana e tij ka shprehur “besim të plotë” se administrata amerikane do të ndihmojë në organizimin e një turneu historik.
Ndërkohë, Trump ka njoftuar se shorti i Kupës së Botës 2026 do të mbahet më 5 dhjetor.