Autor: Edison Osmani
Udhëtoi nga përtej oqeanit, për t’u bërë pjesë e Universitetit Veror të Prishtinës.
Studenti Isak Hofman, që në SHBA studion për shkencat kompjuterike, për dy javë do të ndjek ligjërimet dhe punëtoritë që po mbahen në Universitetin e Prishtinës.
“Në fillim kur vendosa të vij në Kosovë, mendova se do të takoj në shumicën e kohës kosovarë, por sidomos këtu në Universitetin Veror është shumë e mirë që po shoh pasuritë që ka Kosova. Për shembull ka shumë universitete ndërkombëtare, dhe këtu bëhen bashkë njerëz nga kombësi të ndryshme, nga e gjithë Evropa, madje edhe nga Turqia e nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej nga vij unë. Është bukur të shohësh se sa përpara ka shkuar Kosova si shtet dhe sa shumë përparim është bërë”, deklaroi Isak Hofman.
Hofmann tregon se ka nisur ta njoh nga afër edhe kulturën shqiptare, me theks të veçantë muzikën.
“Në njërën prej ditëve e kemi përkthyer nga shqip në anglisht këngën “Era” të grupit Gjurmët. Një këngë shumë e famshme, dhe po diskutonim për vështirësitë e përkthimit në gjuhë të tjera të frazave poetike të këngëve. Po flisnim se si disa fjalë janë të papërkthyeshme, dhe si duhet të mendosh më thellë kur përkthen një këngë”, shtoi ai.
Kosovën, Hofmann thotë se do t’ua rekomandoj edhe miqve të tij në Amerikë.
Pjesë e Universitetit Veror, janë bërë edhe studentë shqiptarë që jetojnë në diasporë.
Njëra nga ta, është Rilinda Rafuna që studion në Gjermani.
“Është një eksperiencë që veç një herë në jetë mund ta bësh. Unë mendoj që Kosova është vend shumë i bukur dhe Universiteti i Prishtinës e ka këtë mundësi me pa qysh është programi i fakultetit, lëndët që prezantohen. Unë krejtve ua kisha propozu me ardhë”, tha Rfuna.
Për këto dy javë, në Universitetin e Prishtinës do të fliten dhjetëra gjuhë.
Prorektorja Rozafa Basha tregon se pjesë e Universitetit veror janë rreth 350 studentë.
“Qëllimi i Universitetit Veror është, fillimisht, të sjellë përvojën dhe ekspertizën akademike ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës përmes kurseve që bashkëligjërohen nga profesorë ndërkombëtarë të universiteteve të ndryshme nga e gjithë Evropa.Vetëm për ta kujtuar vitin e kaluar, këtu ishte një profesor brazilian, i cili ligjëron në Spanjë dhe që më pas shkroi një artikull fantastik në një prej”, pohoi Basha.
Për profesorët, ligjërimi me studentë nga kultura dhe drejtime të ndryshme, po sjell perspektiva të reja.
“Në rastin tim, bashkë me profesorin britanik Darik Liliker, ne kemi një kurs që fokusohet te media dhe mënyra se si formohet opinioni publik. Brenda kursit kemi studentë nga fusha të ndryshme dhe nga shtete të ndryshme. Të qenit nga fusha të ndryshme dhe nga shtete të ndryshme ofron një larmi idesh e perspektivash në diskutimet që ne i bëjmë, dhe kjo po e bën edhe më interesante, sepse shpesh, për të njëjtën çështje, kemi mendime të ndryshme, që vijnë si rrjedhojë e të qenit në fusha të tjera studimi, por edhe sepse jemi nga kultura të ndryshme”m tha profesori Dren Gërguri.
E sipas profesoreshës Remzije Shahini Hoxhaj, diversiteti që sjellë universiteti veror, pasuron Kosovën.
“Ne kemi një diversitet të madh kulturor si pjesë të Universitetit Veror. Kjo e pasuron si Kosovën, po ashtu edhe ata që janë pjesëmarrës këtu. Mua më ka rastisur që në kurset e mia ka pasur pjesëmarrës nga Serbia dhe ka pasur shumë dallime, diskrepanca në mes të mendimeve të studentëve serbë dhe atyre kosovarë. Por ne kemi arritur, si ligjërues dhe bashkëligjërues me profesorë ndërkombëtarë, që në fund të kursit t’i largojmë ato paragjykime ekzistuese të studentëve serbë dhe të krijojmë krejtësisht një mendim tjetër për Kosovën”tha Hoxhaj.
Universiteti Veror tashmë është kthyer në një organizim tradicional i Universitetit të Prishtinës.






