Në kohë fushatash elektorale shtohet fokusi ndaj tyre.
Madje për ta, liderët e partive politike në Kosovë po bëjnë edhe xhirime enkas.
Në drejtim të diasporës, thirrje kanë bërë edhe që të regjistrohen e të votojnë.
Këto thirrje për një mërgimtar që jeton në Zvicër janë më shumë për fushatë.
Sipas tij, duhet të ketë më shumë politika në drejtim të bashkatdhetarëve atje.
“Ajo çka vërehet është se tërë kohën, të gjitha partitë që janë në pushtet, interesi i tyre i kujt më shumë e i kujt më pak ka qenë që diaspora të përfitohet vetëm sa i përket dhënies së votës apo edhe dërgesës së parave deri diku është reduktuar ndoshta edhe në aspektin ekonomik sepse flitet gjithmonë vetëm për investime ekonomike nga ana e diasporës por jo edhe përfshirjen të të gjitha pasurive, shkathtësive, përvojave të shumanshme dhe shumë të dobishme të përfaqësuesve të mërgatës për një zhvillim të qëndrueshëm edhe demokratik të vendit amë”, thotë Osman Osmani, mërgimtar.
Osmani thotë se me një bashkëpunim të mirë, mund të ketë kontribut të bashkatdhetarëve edhe për anëtarësime e njohje.
Për profesorin Avdi Smajlaj, ndikimi i diasporës në vend është i madh.
Ai thotë se përveç votave ata kanë ndikim edhe në ekonomi.
“Është një target shumë i rëndësishëm për partitë politike që përpiqen se cila më shumë mund të i marrë vota diasporës, fatkeqësisht partitë politike nuk përpiqen se cila mund të bëjë politika më të mira, më lehtësuese për diasporën por edhe për familjet që jetojnë këtu dhe për të cilat kujdeset diaspora, mungon një garë e tillë në mes partive politike sepse gara e vetme është se si të ia marrin votat diasporës, kemi një regjistrim rekord të votuesve të diasporës që besoj se lidhet shumë me efektin e 28 dhjetorit që i ka kriju një vetëbesim shumë të madh diasporës pasi ishin këtu dhe votuan dhe u karakterizua më shumë si votë e diasporës së sa votë e Kosovës”, vlerëson ai.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, nga mërgata janë aprovuar saktësisht 131,800 votues nga gjithsej 142,803 aplikime që u pranuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Votimi me postë ka filluar më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor.






