Ka ndërruar jetë Feriz Parllaku, njëri prej gjyqtarëve më të dalluar që ka pasur futbolli dhe hendbolli kosovar.
Parllaku ka vdekur në moshën 68-vjeçare, ndërsa pos në hendboll ishte gjyqtar i dalluar edhe i futbollit.
Ai ka drejtuar ndeshje të shumta të hendbollit kosovar në periudhën e pavarësimit dhe për shumë vjet pasluftës.
Ka drejtuar edhe ndeshjen e parë të Kombëtares së Kosovës, atë ndaj Egjiptit U21 në vitin 2002.
I ndjeri është shquar për punën me përkushtim dhe për kontributin madhor kur puna e gjyqtarit ishte sfiduese dhe me vlerë të jashtëzakonshme.
Parllaku nisi të gjykojë ndeshje të hendbollit në vitin 1978.
Në vitin 1985 mori thirrjen e gjyqtarit federativ.
Në nivelin federativ ka drejtuar ndeshje bashkë me Selim Morinën. Gjatë pavarësimit gjykoi bashkë me Veton Selmanin, Selim Morinën, Burim Devën, Fahredin Hashanin, Xhelal Vitakun e Ibrahim Zhilivodën.
Ishte aktiv në referim deri në vitin 2005.
Për një mandat ishte kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit të Kosovës.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Parllaku dhe gjithë komunitetit të gjyqtarëve të hendbollit kosovar.
Telegram ngushëllimi ka dëeguar edhe Federata e Futbollit e Kosobës dhe kryetari i saj Agim Ademi.
“Ferizi i përkiste gjeneratës së punëtorëve të palodhshëm të periudhës së rezistencës. Ai ishte gjyqtar i guximshëm dhe i veçantë. Përveç ndarjes së drejtësisë në futboll, me të njëjtin zell kontribuoi edhe në hendboll, në vitet më të rënda por edhe më krenare, kur sporti ishte formë e rezistencës sonë kundër pushtuesit serb.
Pavarësisht kërcënimeve e rrezikut të përditshëm, ai nuk u ndal kurrë. Profesionalizmi dhe trimëria e tij në periudhën e okupimit mbeten dëshmi e karakterit të fortë dhe dashurisë së tij për sportin.
Me ndarjen nga jeta të Feriz Parllakut, Kosova humbi një nga gjyqtarët më të mirë në historinë e saj, por puna, sakrifica dhe përkushtimi i tij ndaj sportit do të mbeten përgjithmonë frymëzim për brezat e ardhshëm”, ka shkruar FFK.