Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka ndaluar për 48 orë një shtetas të huaj, nën dyshimin për disa vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e kartelave bankare dhe ndërhyrjet e paautorizuara në sistemet kompjuterike.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë të martën, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
I dyshuari ngarkohet me dyshimin për kryerjen e veprave penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, si dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, sipas nenit 277/D të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, personi ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sisteme kompjuterike dhe dyshohet se ka keqpërdorur kartelat bankare të shtetasve të huaj, duke kryer blerje të ndryshme përmes platformave online, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material.
Gjatë kontrollit dhe bastisjes në një lokacion në rajonin e Prishtinës, autoritetet kanë sekuestruar dy kompjuterë, dy telefona celularë, dy USB dhe dokumente të ndryshme, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, theksohet në komunikatë./teve1.info/




