Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për t’iu ndaluar njëmbëdhjetë personave vizitat te ish-presidenti ,Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim, po cilësohet si shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe si një vendim i palogjikshëm.
Më 18 gusht 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot mori këtë vendim i cili parashikonte ndalimin e vizitave për njëmbëdhjetë persona, mes tyre Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër të tjerë me emra të redaktuar.
Kufizimi i vizitave për Thaçin erdhi pas kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila kishte kërkuar që ndalimi të vlente edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kontaktit familjar, sidomos pas vdekjes së babait të tij.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini vlerëson se ky vendim i Speciales karshi ish-presidentit, Thaçi është shkelje e nenit 8 të Konventës Evropiane, i cili i garanton secilit njeri të drejtën për jetë private dhe familjare.
Për bindjen e tij, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga trupi gjykues është dashur të refuzohet në tërësi ngase nuk e plotëson testin e propercionalitetit.
“Edhe pse në fuqi janë masa shumë restriktive në rastin e vizitave të jo privilegjuara te zotëri Thaçi ngase ato vizita gjithmonë vëzhgohen me pajisje elektronike për dëgjimin e zërit, pastaj në ato vizita janë prezent edhe hetuesit, përkthyes, kështu që ai veçse ka pas kufizime dhe ky kufizim është shumë i ashpër dhe në tërësi në kundërshtim me proporcionalitetin….Unë mendoj se në këtë rast është shkelur neni 8 i Konventës Evropiane që i garanton secilit njeri të drejtën e tij për jetë private dhe familjare. I paraburgosuri nuk i humb të gjitha të drejtat, kufizimet që i janë vendosur zotëri Thaçit në vizita janë ato që deri në një masë e kufizojnë këtë të drejtë. Ne e dimë që kjo nuk është absolute mund të kufizohet në rrethana të caktuara, por jo në mënyrë kaq të ashpër”, tha ai.
Kërkesa e ZPS-së në pikën aktuale të gjykimit kur në shtator pritet të nis dëgjimi i dëshmitarëve nga ana e mbrojtjes po konsiderohet e palogjikshme.
Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala për KosovaPress, se Gjykata Speciale thuajse të gjitha kërkesat e ZPS-së i ka aprovuar, por jo edhe të mbrojtjes së të akuzuarve.
“E kemi një situatë kur Gjykata Speciale me kërkesë të Prokurorisë i ka miratuar dhe thuajse asnjë kërkesë të mbrojtjes apo të atyre që janë akuzuar apo dënohen. Kjo çka ka kërkuar Prokuroria Speciale ndoshta do të kishte kuptim në fazën kur zhvillohen hetimet dhe atëherë për të mos penguar hetimet apo për ndonjë arsye tjetër mund ta bëjë një kërkesë, por tash kur shembull e kemi situatën ku Prokuroria e ka përfunduar intervistimin e dëshmitarëve që i kanë interesuar që kanë paraqitur interes për Prokurorinë, nuk ka asnjë logjik Prokuroria të kërkoi ndalimin e vizitave ..as në kohën e diktaturave më të egra që ka kaluar Kosova në kohën e ish-Jugosllavisë prej përfundimit të luftës së dytë botërore nuk kanë pas rast që të ndërmerren masa aq drakonike ndaj disa të akuzuarve”, u shpreh ai.