Gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt ka vazhduar me dëgjimin e mbase dëshmive më të rëndësishme të të gjithë procesit.
Pas dëshmive të dy të akuzuarve kryesor, Naim Murselit dhe Granit Plavën, radhën e kishte Kushtrim Kokalla.
Edhe ky mohoi përfshirjen në planifikimin e kësaj vrasje.
Avokati i Kokallës, Ndrecë Dodaj, e ballafaqoi të akuzuarin me disa deklarime të bëra në polici.
“Aty Naimi më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke aluduar në vrasjen e gruas së tij. Pasi që, vlen të ceket se Naimi për afër një vit mua më ka lutur që ta kryejë këtë vrasje unë.. atëherë unë i kam thënë se nuk vjen në shprehje ta bëjë këtë punë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, tha Ndrecë Dodaj –avokat i Kokallës.
“Po më kujtohet”, tha Kushtrim Kokalla i akuzuar.
Kokalla tha se Naimi me tashmë të ndjerën kanë pasur probleme, për të cilat sipas tij të gjithë ishin në dijeni.
“Unë kam qenë në dijeni se kanë probleme, Naimi me të ndjerën. Por, nuk jam i vetmi persona që kam pasë dijeni se kanë pasë probleme. Këto probleme i kanë ditë edhe familja Ademaj, e kanë ditë edhe familja e Naimit, nuk jam unë i vetmi që e kom ditë. E kanë ditë ata para meje se kanë probleme mes veti”, u shpreh ai.
Ai tregoi edhe se çfarë i kishte thënë Naimi, natën kritike pasi kishin shkuar bashkë në një hotel të kryeqytetit.
“Në momentin që kemi hy në dhomë, Naimi më është drejtu shprehjen “E kreva këtë punë”…Më kujtohet që më ka thënë, po as se kom marrë parasysh, i kom thanë që as s’um intereson, as mos u’m thuj mo, as mos m’fol për k’si gjana” , tha Kokalla gjatë dëshmisë në gjykatë.
Kokalla foli edhe për raportet e tij me Naimin. Tha se tash i bashkakuzuari, e mbante atë afër për shkak të një të mire që ia kishte bërë në të kaluarën.
“Sa me m’mbajtë afër për shkak se më herët kam marrë kredi në shumën prej 25 mijë euro që m’i ka kërkuar Naimi”, tha i akuzuari.
Kokalla, i cili sipas aktakuzës ngarkohet se i kishte vënë në kontakt Naim Murselin dhe Granit Plavën, tha se nuk ka qenë në dijeni për afërsinë dhe bisedat e tyre.
Dha detaje edhe për një takim të tij me Murselin e Plavën.
“Mu m’i ka dhanë 300 euro për pagesë të kredisë, pasi që jam hy në kredi për të. Ndërsa, aty një shumë prej 500 euro ia ka dhanë Granitit. Mu nuk më kujtohet që i ka thanë diçka për pare, po veç ia ka dhanë edhe i ka thanë “knaqu”, deklaroi Kokalla.
Kokalla u ankua se policia nuk përfshiu në procesverbal të gjitha deklarimet e tij.
“Policia nuk i ka futur të gjitha në procesverbal ato që i kam deklaruar, i kanë futur vetëm ato që janë në favorin e tyre dhe jo ato që janë në favor timin”, tha ai.
Vazhdimi i seancës u mbyll për publikun, meqë u konstatua se mund të zbulohen detaje nga raportet personale mes Naim Murselit dhe Liridona Ademajt.
Ne seancën e radhës palët do të thonë fjalët e tyre përfundimtare.






