Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u bë e ditur se i akuzuari Naim Murseli kishte kërkuar të komunikojë me djalin e tij, e po ashtu edhe me Behgjet Pacollin.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, tha se kërkesa për komunikim me Pacollin i refuzohet ngase është kategori e personave që nuk e lejon ligji, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Keni parashtru kërkesë me komuniku me djalin. Kam kontaktu me autoritetet suedeze, jam në pritje të përgjigjes së tyre. Ndërsa, për kërkesën që e ke ba me komuniku me Behgjet Pacollin, me numër të telefonit të Zvicrës dhe me dhëndrin e juaj- ajo është kërkesë që nuk lejohet, sepse këtë kategori të personave nuk e lejon ligji”, tha Dermaku.
Ndërkaq, sa i përket kërkesës për komunikim me fëmijët, tha se po presin përgjigje nga autoritetet suedeze.
Lidhur me kërkesën për komunikim me Pacollin, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë me këtë të fundit, mirëpo nuk ka qenë i qasshëm.
Paraprakisht, prokurorja Javorka Perlinçeviq e pyeti Murselin se sipas procesverbalit të seancës së 29 janarit 2026, në faqen 10, paragrafi 1, ku flitet për gjendjen financiare, a është e vërtetë se ka thënë që nuk ka borxhe.
“Nuk kam thënë që nuk kam borxhe, por ato shuma që përmenden nuk ekzistojnë”, u përgjigj Murseli, duke potencuar shumën prej 500 mijë euro.
I pyetur nëse ka kontratë për huazim me Behgjet Pacollin në shumën prej 130 mijë euro, ku 30 mijë ia ka kthyer dhe 100 mijë kanë mbetur, të nënshkruar më 27 korrik 2021, Murseli tha se nuk e ka atë kontratë.
Kur iu tregua kontrata, i akuzuari tha se kjo nuk ka lidhje me Pacollin. E për një dokument tjetër, tha po ashtu se s’ka lidhje me Pacollin por është kredi në bankë. Ndërkaq, për kontratën e tretë që iu prezantua, pohoi se është ajo me Pacollin.
“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon afatin e shlyerjes së borxhit. Ka ekzistu por është shlyer në mënyra tjera”, tha ai.
Sipas Murselit, ky dokument nuk është zyrtar, por parakontratë.
I akuzuari po ashtu deklaroi se nuk i kujtohet të ketë deklaruar para hetuesve se ka borxh 3 deri në 5 mijë euro në Swiss Diamond.
Lidhur me takimin me Plavën, Murseli tha se është takuar me të ngase Kokalla i kishte thënë se do t’iu bashkëngjitet më pastaj. Tha se kishte 1 muaj që janë njohur me Plavën.
Ai mohoi të jetë takuar me të akuzuarin Granit Plava pothuajse çdo ditë, por vetëm kur ka qenë me Kushtrim Kokallën.
“Ekspertiza e telefonave të të akuzuarit Granit na ka vërtetuar që ju 10 ditët e fundit para vrasjes së bashkëshortes tuaj, rregullisht keni komunikuar me Granit Plavën. Konkretisht një ditë para vrasjes më 29.11.2023, në ora 19:41, keni dërguar mesazh Granitit me përmbajtjen si në vijim “shok, me siguri nesër përfundon”. A të kujtohet se e ke dërguar këtë porosi”, e pyeti prokurorja Perlinçeviq.
Por, Naim Murseli e mohoi këtë.
Seanca pritet të vazhdojë në sesionin e pasdites, ku prokurorja pritet ta ballafaqojë Murselin me prova.










