Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar struktura të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) se po nxisin protestën dhe përshkallëzimin e situatës para Kuvendit të Kosovës.
Nagavci ka dënuar, siç ka thënë ajo, hedhjen e gurëve, përdorimin e dhunës fizike dhe mjeteve të forta ndaj deputetëve, si dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Ajo çfarë kemi parë sot, gjuajtje me gurë, përdorim të dhunës fizike, gjuajtje me shufra hekuri, pengim të deputetëve në kryerjen e punës së tyre, janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. Madje, për më tepër, ka edhe dhunë ndaj Policisë së Kosovës. Është obligim jo vetëm i individëve që kanë kryer këto vepra, por edhe i atyre që në njëfarë forme janë nxitësit, saktësisht strukturave të PDK-së, të japin sqarime se pse po eskalon protesta në këtë mënyrë, çfarë po synojnë të arrijnë dhe pse gjithë ky mllef ndaj Policisë dhe deputetëve të VV-së”, ka deklaruar Nagavci në një lidhje direkte në emisionin “Info Nata” në Tëvë1./teve1.info/




