Për herë të parë, Kosova ka shënuar pavarësinë në Beograd. Pjesëmarrës në kremtimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Serbi ishte edhe zëvendëskryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.
Me këtë rast, ai ka thënë se ky ishte një emocion i veçantë.
“Me ftesë të ambasadorit, Sh. T. Z. Jetish Jashari, për herë të parë u shënua përvjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës në Beograd, në 15 vjetorin e saj! Përveç përfaqësuesve institucional e politik të Luginës së Preshevës, prezent ishin edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Beograd, e përfaqësues të misioneve diplomatike ndërkombëtare. Emocion i veçantë. Gëzuar Kosovë!”, ka shkruar ai në Facebook.
Pjesë e këtij kremtimi ishte edhe këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani.
Sipas saj, njohja e realitetit nga kryeqendra e Serbisë për Republikën e Kosovës, do të jetë shans për demokratizimin e Serbisë.
“Njohja e realitetit nga ana e Serbisë për Republikën e Kosovës dhe respektimi i parimit të reciprocitetit të të drejtave të pakicave në shtetet respektive, është garancë për paqe afatgjate të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ajo në Facebook. /Teve1.info/