Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit Naim Murseli për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj pyeti atë se pse kishte telefonuar Valon Llukën dhe jo Policinë. Për këtë, Murseli deklaroi se ishte në gjendje shoku dhe nuk iu kujtonte një numër tjetër.
Leonardi e pyeti edhe çka i kishte shkruar Llukës.
“Në natën e vrasjes keni deklarua se unë me fëmijët kam ikur dhe kam dëgjuar një krismë dhe nuk jam kthyer. Kemi shkuar në market dhe i kemi thënë pronarit thirrni policinë sepse unë nuk jam mirë sepse na kanë grabitur. Pastaj ju me telefonin e pronarit e keni lajmëruar Valon Llukën në telefon. Çfarë i keni shkruar Llukës?”, pyeti Ademaj.
Murseli u përgjigj se nuk iu kujtohet: “nuk më kujtohet”.
Ademaj e pyeti edhe pse nuk e kishte telefonuar Policinë por Llukën.
Murseli tha se ishte në gjendje shoku dhe e telefonoi pas 20-30 minutash që ta lajmëronte familjen e tij.
“Fillimisht unë kam qenë në gjendje shoku dhe pronari i marketit e ka thirrur policinë dhe më vonë pas 20-30 minuta kam komunikuar me Valonin nga marketi, sepse vetëm numrin e tij e mbajta mend, nuk ditsha kë ta lajmëroj nga familja ime, e dija se ai e lajmëron’, tha Murseli.
Një pyetje tjetër nga Ademaj ishte se si i kishte thënë policisë që i kanë grabitur, ndërkohë Valonin se i kanë vra. “Si ka mundësi që policisë i ke thënë që na kanë grabitur, ndërsa Valonit mesazh o Valon na kanë vrarë, ku e dite ti se kush është vra?”, pyeti shkurt Ademaj.
Murseli shtoi se e kishte pasur në mënyrën që i kishin gjuajtur me armë.
“Unë kam pasur për… që na kanë gjuajtur për me na vrarë, ky ka qenë qëllimi”, shtoi ai.
Ndërkohë, avokati i të ndjerës, Leutrim Syla pyeti se si kishte deklaruar ai se kishte kapur duart e fëmijëve, ndërkohë kishte trokitur në dyer të shtëpive.
“Në seancën e kaluar dhe Prokurori keni deklaruar që nuk keni mundur me u kthye te Liridona pasi që keni dëgjuar krismën e armës, pasi që fëmijët nuk iu kanë lëshuar duart. Më vonë thoni se keni trokitur nëpër dyer të shtëpive, a mundesh me na tregu si ke mundur të trokasësh kur duart i ke pasur nxënë me fëmijët”, pyeti Syla
Murseli nuk u përgjigj, pasi që sipas tij ishte pyetje banale.
“Nuk kam përgjigje. Pyetje banale”, tha ai.
Me 26 mars në 10:00-16:00 dhe 27 mars 9:30-16:00 trupi gjykues do t’i parashtrojë pyetje Naim Murselit.
Ndërkohë me 17 prill në ora 9:30 do të jetë fjala përfundimtare.







