51-vjeçari Altin Hajdari nga fshati Kutalli, bashkia Dimal ka vdekur pas shembjes së një muri rrethues në banesën e tij.
Sipas informacioneve, gjatë prishjes së një muri të vjetër, tullat e kanë janë rrëzuar duke e zënë poshtë 51-vjeçarin.
Familjarët e kanë transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal Berat, por mjekët kanë konfirmuar se ai ka mbërritur pa shenja jete.
Trupi i pajetë është dërguar në Repartin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet autopsisë për përcaktimin e plotë të shkaqeve të vdekjes.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së DVP Berat, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
“Paraditen e sotme në Urgjencën e Spitalit ka mbërritur pa shenja jete shtetasi A.H., 51 vjeç, banues në fshatin Kutalli, Dimal. Ai ka qenë duke prishur një ndërtesë të vjetër në banesën e tij, kur muri i ndërtesës është rrëzuar dhe e ka dëmtuar. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi ka ndërruar jetë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes,” thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.