Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se gjatë dy viteve të fundit i gjithë kontinenti i Evropës është përballur me një krizë energjetike, teksa ka njoftuar se është përmbyllur subvencionimi i rrymës për qytetarët që kanë kursyer energjinë elektrike.
Në një konferencë për media, së bashku me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, Murati theksoi se për këtë arsye gjatë asaj periudhe Qeveria e Kosovës ka marrë masa për rritjes efiçiencës, kursim të energjisë elektrike dhe një pako për subvencionim e kursimit të energjisë për qytetarët e Kosovës, shkruan teve1.info
Murati ka bërë të ditur se pakoja ka qenë e subvencionuar tre muaj nga Qeveria e Kosovës, ndërsa muajt e tjerë është financuar nga Bashkimi Evropian.
“Muajt shtator tetor dhe nëntor kanë qenë të mbuluar nga Kosova, kurse për dhjetor janar shkurt dhe mars u mbuluan nga fondet e BE për 15 milionë euro për këta katër muaj. Sot apo nesër, do të jetë përmbyllja e kësaj mase të kursimit që ka qenë për sezonin dimëror”, tha Murati.
Tutje, ministri Murati njoftoi se Bashkimi Evropian gjatë këtij viti ka edhe një pako tjetër mbështetëse për energji për qytetarët e Kosovës, për ato familje në nevojë, në mënyrë që këtyre familjeve të i’u lehtësohet barra e faturave të energjisë elektike.
“Do të ketë edhe masa të tjera që po ashtu janë të parapara me pakon mbështetëse të BE-së janë paraparë edhe 25 milion euro të tjera që do të jenë për gjatë vitit mbështetjet për familjet në nevojë në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë dhe të lehtësohet barra e faturave të energjisë elektike për ta”, deklaroi Murati.
Nga kjo masë sipas tij, përfituan mbi 200 mijë familje përfituese dhe mbi 88 milionë euro të kursyera në import të energjisë
Ndërsa, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se 200 mijë familje kanë përfituar nga kursimi i energjisë elektrike.
Ai tha se për katër muaj, mbështetja e BE-së për Kosovën ka arritur deri në 50 milionë euro.
“BE ka mbuluar subvencionimin e Qeverise për katër muaj nga dhjetori deri në mars, ku mbi 200 mijë familje kanë përfituar nga kursimi për çdo muaj. Mbështetja ka arritur deri në 50 milionë për këta muaj dhe jam shumë i lumtur që mund të them se ka qenë një masë mbështetëse shumë e suksesshme. Kursimi i energjisë është mënyra më e lehtë, më e sigurte dhe më e lirë për të kaluar këtë krizë, pasi të gjithë mund të përfshihemi në reduktimin e energjisë, nga bizneset e deri të konsumatoret individual.
Në të ardhmen pakoja e mbështetës do të jetë edhe në kuadër të gjërave tjera. Kjo ishte së pari për familjet për t’i ndihmuar që ti paguajnë faktuarat e rrymës, e dyta për produktet që ju nevojiten për ngrohjen e shtëpisë, për renovimin e ndërtesave, dyer, dritareve dhe mjeteve solare si dhe e treta mbështetja për bizneset mikro, të mesme dhe të vogla për të investuar në pajisje efeciente të energjisë dhe instalime solare”, ka thënë ai.
Ai tha se BE mbetet e zotuar që ta mbështes Kosovën në përpjekje për dekarbonizim dhe efecientë të energjisë elektrike.
“Burimet e energjisë janë kyçe për të ardhmen e një shteti”, ka përfunduar ai./teve1.info