Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk u paraqit as sot në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike ku ka qenë i ftuar. Ndërsa, anëtarët e komisionit vendosën që raporti i auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të dërgohet direkt në Kuvend
Shqyrtimi i raportit të auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, u shty nga java e kaluar për sot.
Anëtarët e Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike të pozitës e opozitës u përplasën në komision.
Deputetet e pozitës mbrojtën punën e ministrit Aliu, ndërkohë opozitarët kërkuan që raporti të shkoj në Kuvend për shqyrtim, në mungesë të raportimit të Aliut në mbledhjet e thirrura.
Gjithçka nisi kur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi ka thënë se ministri Liburn Aliu ka qenë target i opozitës që nga fillimi i mandatit, derisa përmendi shit-blerjen e tokave të shtetit.
“Pas atyre ofendimeve fyerjeve të pabaza, sikur unë të isha ministër, nuk do të isha ardh në këtë Komision. Po shihet që vazhdimisht nga fillimi i mandatit ka qenë target opozitës dhe disa mediave ministri Liburn Aliu. Krejt kjo po ndodhë se dikush është mësuar që të blejnë tokë nga shteti me 50 euro arin e ta shesin me 5 mijë euro arin”, ka theksuar Thaçi, raporton rtk.
Pas kësaj ndërhyri deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Alban Bytyqi, e cila i ka thënë se gabim ia kanë shkruar fjalimin.
“Gabim ta kanë shkru fjalimin, mos e lexo këta po duhesh me fol ata çka ti e mendon. Gabim e ki të shkrume. Të kisha thanë me e çu dorën e me votu raportin, mos u bë dallavergji”, ka thënë ajo.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se edhe në raportin e Komisionit Evropian është evidentuar dhënia e kontratave njëburimore.
Kurse, deputeti tjetër i LVV-së, Visar Korenica ka theksuar se rruga e vetme mbetët me dërguar raportin në Kuvend për diskutim. Sipas tij, nuk është mirë që ministri nuk po vjen për raportim.
Kurse deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë së të gjithë janë pajtuar që këtë raport me dërgu në Kuvend, sepse ministri Aliu për disatën herë nuk po vjen në raportim.
Pas kësaj, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Hykmete Bajrami, ka propozuar që raporti i auditimit për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të dërgohet direkt në Kuvend meqë ministri Liburn Aliu nuk ka shkuar në Komision dhe anëtarët e komisionit vendosën që raporti të diskutohet ne Kuvend.