Dragan Zhivanoviq (Dragan Živanović) komdandant i Brigadës 125 të ushtrisë së Serbisë, u identifikua në vitin 2013, si i dyshuar kryesor për masakrën e Kralanit në Gjakovë.
Identifikimin e tij e bëri Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi.
Nën Brigadën 125, që gjatë luftës në Kosovë e udhëhoqi Zhivanoviq (Živanović), sipas një hulumtimi të Fondit, bie përgjegjësia për shumë krime në rajonin e Dukagjinit. Ndër to, edhe ajo për masakrën e Kralanit, ku u vranë 86 civil shqiptarë.
Mirëpo, përkundër që faktet u deponuan nga Fondi përmes një kallzimi penal në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ndaj Zhivanoviq nuk u ngrit asnjëherë aktakuzë.
Pjesë e kallzimit penal ishin edhe pesë eprorë të tjerë të ushtrisë dhe policisë serbe.
“Ne kemi evidentuar reth 90 viktima, ndërsa kallëzimi penal në fakt është fokusuar në 78 viktima për të cilat ka fakte që janë kryer nga forcat serbe. Ka qenë komandanti i Brigadës 125 i autorizuar i Ushtrisë Jugosllave, i cili është akuzu, pastaj edhe një komandant i njësive speciale apo qysh është quajtur atëherë njësia e posaçme e Policisë”, ka thwnw Bekim Blakaj-drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare.
Sipas drejtorit të Fondit për Kosovë, Bekim Blakaj, katër prej tyre dyshohet se ndodhen në Serbi.
“Meqenëse janë zyrtar të lartë ata po që gjenden në Serbi. Ne nuk kemi ndonjë informacion, nuk kemi gjurmuar se ku saktësisht jetojnë”, thotw Blakaj
Sipas Blakaj, vetëm njëri nga ta është përmendur dhe identifikuar nga të dëmtuarit.
“Për fat të keq, shumicën e kryerësve të krimeve nuk i kanë njoftë ata persona të cilët kanë qenë në Kralan me 2, 3 dhe 4 prill. Pra, kanë qenë persona të panjohur për ta shumica. Ka disa raste, disa individë që mund t’i kenë njohur, është përmendur një major Grujiq, i cili vet është prezantuar në mëngjesin e datës 4 prill. Pra, kjo është çka dihet për identitetin e kryerësve të krimeve”, shprehet ai.
Pavarësisht kësaj, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka dëshmi të tjera në lidhje me këtë masakër.
“Ne për secilën viktimë e bëjmë një intervistë së paku me një familjar të viktimës, qoftë i afërt apo ndonjë kushëri. Dhe, po ne i kemi deklaratat me familjarë por gjithashtu me ata të cilët kanë qenë dëshmitar, në fakt janë personat e fundit që janë larguar nga Kralani, para se të ndodhte vrasja masive”, thotw Blakaj.
Televizioni ka pyetur Prokurorinë Speciale nëse janë duke e trajtuar këtë masakër, mirëpo nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.






