Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Republikës së Kosovës, Armend Muja, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku është takuar me homologun e tij, ministrin Borçe Serafimovski dhe zëvendësministrin Albrim Hoxha, si dhe me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore.
Sipas njoftimit, në kuadër të takimeve u diskutua për thellimin e bashkëpunimit bilateral në sektorin e bujqësisë, rritjen e shkëmbimeve, lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sigurisë ushqimore.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe harmonizimit të procedurave të kontrollit dhe certifikimit, si dhe përmirësimit të komunikimit ndërmjet autoriteteve kompetente, në përputhje me marrëveshjet rajonale dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Një ndër temat kryesore ishte bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të sigurisë ushqimore, përfshirë shkëmbimin e informacionit, kontrollet zyrtare në kufi dhe në tregun e brendshëm, gjurmueshmërinë e produkteve dhe koordinimin në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve për shëndetin e konsumatorëve.
Diskutimet përfshinë gjithashtu shkëmbimin e përvojave në politikat e mbështetjes së fermerëve, zhvillimin rural, modernizimin e prodhimit bujqësor dhe përafrimin e politikave sektoriale me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.
Ministri Muja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për krijimin e kushteve më të favorshme për fermerët dhe bizneset, zhvillimin e tregtisë së ndërsjellë dhe garantimin e standardeve të larta të sigurisë ushqimore.
“Vizita zyrtare shënon një hap në forcimin e komunikimit institucional dhe bashkëpunimit rajonal, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve dhe avancimin e integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Gjatë vizitës, Ministri Muja shoqërohej nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, dhe Drejtoresha e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Venera Çerkini./teve1.info/




