Mesfushori Ardian Muja ka vazhduar bashkëpunimin me Prishtinën, ka njoftuar të mërkurën klubi nga kryeqyteti.
Prishtina ka bërë të ditur se Muja ka rinovuar kontratën edhe për dy vjet dhe do të jetë pjesë e ekipit deri në verën e vitit 2027.
“Me shpirtin luftarak dhe kontribut të vazhdueshëm në fushë, Muja është një nga shtyllat kryesore të skuadrës”, ka shkruar ndër të tjera Prishtina në njoftim.
Muja 27-vjeçar iu bashkua Prishtinës në verën e vitit 2023, ndërsa karrierë në Kosovë ka bërë edhe te Trepça ’89 dhe Trepça.
Në sezonin e fundit, Muja shënoi 5 gola dhe bëri 8 asistime në 37 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, ndërsa me Prishtinën triumfoi në Kupën e Kosovës duke siguruar paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Evropës.
Para Mujës, kontratën për dy vjet me Prishtinën e ka vazhduar edhe portieri Agron Kolaj.