Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka thënë se nuk beson që do të lëvizin nga propozimi i emrit për kryetare të Kuvendit, që është Albulena Haxhiu.
Ai ka thënë se nuk duhet të ketë ndërrim të emrit për kryetare të Kuvendit.
Muja në “InfoNata”, ka thënë se këto janë rregullat dhe duhet mësuar të qeveriset me rregulla.
“Unë nuk besoj se do të lëvizim nga ky qëndrim, mdaje këshilla është të mos ketë lëvizje të tilla, mendoj që ne duhet të mësohemi me një qeverisje me rregulla, qeverisja dhe kuvendi reflekton peshën e legjitimitetit politik të dal nga procesi zgjedhor dhe ne duhet të mësohemi në këtë mënyrë, qeverisje të bazuar në rregulla. Nuk u takon partive opozitare se çfarë kandidati duhet të kemi ne sikurse ne nuk do të lëshohemi në propozimet që ata i bëjnë për nënkryetar. Çështja e qeverisjes është tjetër”, ka thënë Muja.
Ai ka thënë se për çështjen e numrave do të flitet vetëm pas të premtes.
“Pas të premtes do të hyjmë te ai diskutimi i “famshëm” se a janë numrat. Për të nxjerrë një konkludim, ajo duhet të testohet pas konstituimit të Kuvendit. Në rast se opozita mendon në atë mënyrë është e drejtë e tyre të mendojnë, por meqë po mendojnë në atë mënyrë ta konstituojmë Kuvendin dhe të ecim tutje, është mirë edhe për ta”, ka thënë ai.