Ai ngarkohet se gjatë 1999-ës së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, ku të njëjtit i zhvarrosen trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Alidemaj e bëri në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Ilir Morina.
Deklarimin e të akuzuarit Alidemaj e mbështeti mbrojtësi i tij, avokati Vasilije Arsic.
Pas kësaj, gjykatësi i çështjes, Vesel Ismaili e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se kanë të drejtë të ushtrojnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, brenda afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.
Sipas aktakuzës, Alidemaj më 28 mars 1999 në fshati Izbicë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e popullsisë civile, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit në vendin e quajtur “Malet e Stejevcit”, në kodrën e rrugës Kërrninë – Belicë, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradovic, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiç, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë ende të pa identifikuar.
Siç thuhet në aktakuzë Alidemaj, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12 vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.
Ndërsa, burrat e mbetur thuhet se i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar dhe i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, emrat e të cilëve janë paraqitur në shtojcën 1 të kësaj aktakuze, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, emrat e të cilëve gjendën në shtojcën 2 të kësaj aktakuze, ashtu që trupat e cilëve të vrarë pas 2-3 dite ishin varrosur nga fshatarët.
Tutje, sipas aktakuzës thuhet se përafërsisht pas 2 muajve të vitit 1999, i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, u kthyen sërish në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur, ndërsa pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.
Më tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosje, grabitje dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Izbicë dhe fshatrave përreth, ashtu që fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre duke i kërcënuar ata me armë dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit.
Me ç‘rast, i akuzuari Alidemaj thuhet se së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e thirrën të dëmtuarën Xhemile Osmanaj që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar, fillimisht nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë marka gjermane, pastaj nën tytën e armës në shpinë, e detyruan që t’iu prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.
Më pastaj, aktakuza thotë se i pandehuri Muhamet Alidemaj e goditi me shuplakë në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, kurse civilëve të tjerë iu konfiskuan të gjitha sendet e tyre personale me vlerë, i rrahën rëndë disa nga meshkujt, i detyruan me dhunë gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Klinës, duke iu thënë të shkojnë në Shqipëri, si dhe nën kërcënimin e armëve ua grabitën çdo gjë me vlerë monetare dhe në fund i shkatërruan dhe i dogjën shtëpitë e fshatit Izbicë.
Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi