Ish-pjesëtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, më 5 janar është arrestuar më Merdarë nga policia serbe.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se që nga dita e parë e arrestimit të Dakajt, janë angazhuar me këtë rast.
Sa i përket trajtimit të tij, MPJD thotë se Dakaj deri më tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo maltretim.
“Në lidhje me rastin e arrestimit të qytetarit të Republikës së Kosovë, z. Hasan Dakaj, në Serbi, ju njoftojmë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi që nga dita e parë e arrestimit të z. Dakaj ka qenë e angazhuar në këtë rast dhe sot pas miratimit të kërkesës nga autoritetet serbe, ambasadori Jashari ka vizituar qytetarin Hasan Dakaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës të Beogradit, ku z. Dakaj është duke u mbajtur. Më 6 Janar 2024, në ora 16:00, z. Dakaj ka dalur para gjykatësit të procedurës paraprake, ku i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, respektivisht, deri më 3 Shkurt 2024. Sa i përket trajtimit të tij, qytetari Dakaj ka theksuar se deri me tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit. Ndërkohë, atij i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Më tej, thuhet se Dakaj e ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit, e ngarkon atë për “gjoja” krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.
Prandaj, MPJD ka ftuar të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar nëse ballafaqohen me vështirësi të njëjta gjatë udhëtimit nëpër Serbi, derisa kanë bashkëngjitur edhe numrin e telefonit për çdo rast të mundshëm.
“MPJD fton të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe nëse ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, diplomatët dhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në vazhdimësi para Bashkësisë Ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin mbi veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe i bëjnë thirrje që të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të qytetarëve, Hasan Dakaj, Nezir Mehmetaj dhe të tjerëve që mbahen në Serbi”, thuhet tutje në komunikatë.
Kujtojmë se ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, i cili është arrestuar nga autoritetet serbe të premten në pikën kufitare në Merdarë, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj në Serbi./teve1.info/.







