Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku, së bashku me 31 drejtorë nga bibliotekat komunale të Kosovës, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, vlera e të cilit është 200 mijë euro.
Drejtorët e bibliotekave shprehën pakënaqësitë e tyre karshi punës së kësaj ministrie, derisa thanë se ndër vite janë lënë shumë anash nga shteti.
“Është nevoja për një bashkëbisedim dhe të dëgjojmë nga ju, sepse jeni ata që dini më së miri situatën në raport me bibliotekat dhe me sfidat të cilat i keni. Natyrisht, çështja e decentralizimit dhe e bartjes së bibliotekave komunale në përgjithësi të komunave, ka krijuar një lloj shkëputje mes nivelit qendror dhe lokal, mirëpo ne besojmë që këto nuk janë sfida të patejkalueshme dhe ne mund të gjejmë forma të tjera të angazhimit të qeverisë, respektivisht ministrisë së Kulturës, për të mbështetur punën e bibliotekave komunale, në mënyrë që edhe komunave t’ ju dalim në ndihmë, sepse komunat shpesh kanë edhe kufizime buxhetore”, u shpreh Çeku.
Ndërkaq, drejtoresha e bibliotekës së Pejës, Shengyl Kelmendi-Gashi, potencoi se biblioteka është vendi ku krijohet dija e një shteti. Mirëpo, ajo ndjehet e shqetësuar, njëkohësisht edhe e lënë anash.
“Ne e dimë që ndërtimi i një shteti fillon prej dijës. Ne bibliotekat jemi kapilarët që i japim fuqi dijes dhe ndërgjegjësimit së qytetarëve. Neve na kanë lënë shumë anash. Një ndër to, bibliotekat jashtë shtetit janë sistemuar me program, kështu që automobilizimi dhe digjitalizimi që po bëhet ne po brengosemi që të bëhemi secili së bashku dhe të formohet automatizmi i bibliotekave. Kur do të bëhet? Kur do të bëhemi bashkë? Kur do të bëhen trajnimet për kolegë. Thonë bashkimi e bën fuqinë dhe ne kemi dëshirë që të bashkohemi”, tha ajo.
Ndërkaq është komuna e Lipjanit, ajo e cila ka dhuruar 5 mijë euro për bibliotekën përgjatë vitit 2023. Kjo ngase është parë që kësaj biblioteke i mungonte ndihma e fondeve. Por jo vetëm, pjesë që mungon është edhe kabina e leximit, e cila është e domosdoshme për lexuesit.
“Komuna e Lipjanit ka paraparë 5 mijë euro për vitin 2023, për pasurimin e bibliotekës së qytetit. E kemi vlerësuar që i mungon fondi, kështu që me memorandumin sot që do të nënshkruhet, është më se i mirëseardhur për qytetin e Lipjanit, sepse vërtetë Lipjani kishte lexues. I mungojnë disa kabina të leximit, edhe në çështjen infrastrukturore e kemi futur si projekt që do të plotësohet edhe kjo pjesë.”, tha ajo.
Biblioteka e Gjilanit, shihet të jetë më e “kompletuara”, për dallim nga bibliotekat e komunave të tjera. Qazim Azizi, drejtor i kësaj biblioteke, shprehet falënderues ndaj ministrisë, derisa thotë se është rasti i parë gjatë kësaj kohe që të gjitha bibliotekat janë ftuar për të marrë pjesë në një ngjarje siç është kjo e sodit.
“Biblioteka e Gjilanit ka pasur fat, mirëpo edhe Gjilani ka pasur fat, tani më shumë se 6-të vite ka një bibliotekë në vend të mirë dhe me të gjithë punëtoret aty. Përveç që e kemi marrë objektin, kemi bërë edhe një punë rreth renditjes të gjithë inventarit të librit brenda bibliotekës. Atëherë bibliotekat kanë qaluar që nga viti 2010 kur bibliotekat publike kanë dalë nga ministria e Kulturës dhe janë renditur komunat aty ka filluar problemi jonë me biblioteka. Është rasti i parë gjatë kësaj kohe që të gjitha bibliotekat janë ftuar për të marrur pjesë në një ngjarje siç është kjo e sodit”, tha Azizi.
Drejtoresha e bibliotekës së Prizrenit, Sadete Sadiku, tha se bibliotekat përveç furnizimit me libra, kanë nevojë edhe për programin e unifikimit.
“Bibliotekat kanë nevojë shumë më tepër se vetëm furnizimi. Le të jetë furnizimi vetëm një segment i ndihmës që ju mund të jepni për bibliotekën. Po flas në emër të bibliotekës sonë, mirëpo edhe kolegët e mi të bibliotekave të tjera kanë të njëjtin mendim, na duhet gjithsesi edhe programi i unifikimit në të gjitha bibliotekat. Le të jenë edhe projekte profesionale të cilat përmes bibliotekës kombëtare do të kemi qasje të gjitha bibliotekat e Kosovës. Është e vërtetë që me rastin e decentralizimit ne si biblioteka kemi kaluar në nivel komunal, megjithatë koordinimi i punës mund të jetë prapë i përbashkët nga ju”, potencoi Sadiku.
Përveç tjerash, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë 1 milion euro nga buxheti mbështetje për librat, të cilat më pas do t’ u dhurohen bibliotekave të komunave.
Ndërkaq vlera totale e memorandumeve arrinë shumën rreth 200 mijë euro./KP