Ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social po avancon në disa komuna të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka njoftuar se në Pejë, 135 njësi banesore janë në fazën finale të ndërtimit.
“Projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social po avancon! Në Pejë po vazhdojnë me ritëm të mirë punimet në projektin e Banimit të Përballueshëm dhe Social. 135 njësi banesore janë tashmë në fazën finale të ndërtimit. Punimet po avancojnë edhe në Istog, Podujevë dhe Gjilan. Ndërkohë, kemi iniciuar procedurën e prokurimit për lidhjen e kontratës në Kamenicë, si dhe jemi në fazën e hartimit të projekteve për Shtime dhe Obiliq. Me buxhetin e vitit 2027 për projektet e banimit të përballueshëm dhe social dhe të banimit social adekuat kemi ndarë 23.5 milionë euro”, ka shkruar Pacolli.








